Connect with us

Kronike

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”/ Prokuroria ngre dy akuza ndaj autorit të krimit

Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal dy ditë pas vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, 28 vjeç, ku autori i krimit 23-vjeçari Azgan Mërnica vazhdon të jetë ende në arrati.

Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj Azgan Mërnicës, vepra penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se autori i krimit u arrit të identifikohej pasi janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, sekuestrimit të provave materiale, sekuestrimit dhe këqyrjes së pamjeve filmike, pyetjes së shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes.

Dyshohet se krimi ka ndodhur pas një konflikti të çastit, ku dy të rinjtë janë konfliktuar për shkak të kalimit në një rrugë të ngushtë në hyrje të fshatit.

Njoftimi:

Më datë 13.05.2024, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, ka regjistruar procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 79/b dhe 278 parg. I i K.Penal.

Kjo çështje penale është regjistruar për ngjarjen e ndodhur në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, ku është vrarë me armë zjarri punonjësi i policisë së shtetit N. C.

Nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, të pranishëm në vendin e ngjarjes, pasi janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, sekuestrimit të provave materiale, sekuestrimit dhe këqyrjes së pamjeve filmike, pyetjes së shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes, është arritur të identifikohet autori i dyshuar, shtetasi A. M., i datëlindjes 15.06.2001, lindur në Fier dhe banues në Sulaj, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier.

Me qëllim vënien e autorit të dyshuar para përgjegjësisë penale, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit po vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe intensive kërkimet për gjetjen e autorit të dyshuar.

Gjithashtu, nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryhen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Advertisement