Kronike
Vrasja e Lulzim Vishës, zbardhet dëshmia e Eduart Lamit: Nuk kemi pasur konflikt
Eduart Lami, i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe i dyshuar për vrasjen e Lulzim Vishës, ka deklaruar para hetuesve se nuk ka pasur konflikt me familjen Visha.
Lami është shprehur në dëshminë e tij, se në dijeninë e tij, nuk kanë pasur asnjë debat apo përplasje.
“Nuk kemi pasur konflikt me familjen e viktimës. Në dijeninë time nuk kemi pasur asnjë debat apo përplasje.
Nuk e di për pjesëtarë të tjerë të familjes nëse kanë pasur konflikte me dy vëllezërit Visha. Por unë personalisht dhe nga ajo çfarë di unë nuk kemi pasur konflikte”, tha Eduart Lami.
48 vjeçari Lulzim Visha i cili punonte si postier në postën private “Postman” është gjetur i vrarë mëngjesin e 24 janarit 2025 brenda në makinën e kompanisë, në fshatin Zall Mner në zonën mes Kamzës dhe Institutit në Tiranë.
Sapo Visha hipi në automjetin e punës të cilin e merrte me vete në shtëpi, persona ende të paidentifikuar, e qëlluan me pistoletë me silenciator, duke e lënë të pajetë brenda makinës të bërë shoshë nga plumbat kryesisht në xhamin e përparmë.
Ndërkohë ka qenë një banor i zonës që ka telefonuar policinë se në orën 07:40 kishte konstatuar makinën e bërë shoshë nga plumbat brenda së cilës ndodhej i pajetë dhe 48 vjeçari në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner pranë Kamzës.
Deri më tani Eduart dhe Ervis Lami akuzohen për armëmbajtje pa leje, megjithëse kontrolli në banesën e Lamit u zhvillua pas dyshimeve se dy kushërinjtë mund të kenë pasur konflikte me familjen Visha.