Kronike
Vrasja në Elbasan / Autorët u larguan me “Audi” drejt Librazhdit, ja ku dyshon policia
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e biznesmenit Edmond Hyka (Mahalla), mbrëmjen e kësaj të diele në Elbasan.
Sipas raportimeve, biznesmeni njihej në qytet si pronar i dy bizneseve, ajo e taksive elektrike dhe e një karburanti.
Më herët biznesmeni 43-vjeçar, dyshohet të ketë qenë pjesëtar i një grupi kriminal që operonte jashtë Shqipërisë, kryesisht në transportin e drogës, një prej pistave që po hetohet nga policia.
Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë dy autorë dhe pasi kanë qëlluar drejt Mahallës janë larguar me një automjet tip “Audi” ngjyrë të zezë në drejtim të Librazhdit.
Disa persona janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje lidhur me rastin.
Mond Mëhalla me precedent penal në fushën e narkotikëve, u qëllua kur u fut në makinë, ka edhe të arrestuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin mbrëmjen e kësaj të diele.Pas disa të shtënave me armë zjarri në Elbasan, ka mbetur i vdekur biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla.
Ai sapo kishte dalë nga zyra e tij dhe u fut në makinë, kur ka marrë tre plumba me pistoletë.
Automjeti i ekzekutuesve ishte një Audi ngjyrë e zezë dhe dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.
Sipas informacioneve nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, 43-vjeçari që ngeli viktimë këtë mbrëmje kishte precedent penal në fushën e narkotikëve.
Në pamjet e siguruara nga Top Channel, shihet momenti kur një person futet me forcë në makinën e policisë. Ende nuk dihet nëse personi në fjalë ishte autor apo i dyshuar, ndërkohë janë edhe pamjet kur familjarë të viktimës mbërrijnë në vendngjarje.
Pas ngjarjes, policia doli me njoftim zyrtar, duke thënë: “Rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda në një automjet të parkuar, është gjetur, i vrarë me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H., 43 vjeç.
Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit, dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”.
Po ashtu për këtë ngjarje reagoi edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shkroi: “Vrasja e sotme në Elbasan, pas një serie ngjarjesh kriminale në gjithë Shqipërinë, tregon qartë degradimin e rendit dhe sigurisë publike. Nën qeverisjen e Ramës, vrasjet janë bërë puna më e lehtë, kryhen ku të duan, si të duan dhe kur të duan!
Qeveria që i ka dhënë hov, mbështetje dhe pushtet politik bandave dhe krimit të organizuar. Ka ulur në minimum autoritetin e shtetit dhe respektin për ligjin. Sot, krimi nuk ka më frikë nga shteti, përkundrazi, qytetarët nuk e kuptojnë dot më ku mbaron shteti dhe ku fillon mafia, për shkak të bashkëpunimit politik dhe të favoreve të ndërsjella që marrin grupet kriminale.
Shqipëria është lënë në dorë të bandave, ndërsa qeveria merret me propagandë, fasada dhe luks. Kjo gjendje nuk ndryshon me arsyetime, nuk mbulohet me fjalë, por kërkon reagim dhe ndryshim të menjëhershëm politik, për t’i rikthyer qytetarëve sigurinë dhe shtetit autoritetin”.