Connect with us

Kronike

Vrasja në Rrëshen/ Viktima po qëndronte në këmbë pranë spitalit, makina e autorëve u zhduk në një rrugë dytësore

Gazetari Gjergj Figuri ka dhënë detaje nga ngjarja e pak minutave më parë në qytetin e Rrëshenit, ku mbeti i vrarë 62 vjeçari Martin Bardhi. Pista e parë që po heton policia lidhet me hakmarrjen pasi viktima së bashku me djalin e tij u përfshinë në një ngjarje disa kohë më parë, duke tentuar të vrisnin Saimir Reçin.

Autorët, të cilët kanë qenë në një makinë, kanë lëvizur në një rrugë dytësore që dyshohet se të çon drejt fshatit Kaçinar. Gazetari raporton se 62 vjeçari po qëndronte në këmbë pranë spitalit të qytetit kur është qëlluar për vdekje nga autorët, të cilat janë larguar më pas me shpejtësi me një makinë.

Policia ka ngritur disa pika kontrolli drejt fshatit Kaçinar dhe në disa vende të tjera ku mendohet se mund të kenë lëvizur autorët. Mësohet se viktima ishte liruar nga burgu pak kohë më parë pasi u arrestuar për tentativën e vrasjes së Saimir Reçit për shkak të një konflikti që ai kishte nisur me të birin.

Vrasja e Martin Bardhit, nga të shtënat u plagosën edhe 3 qytetarë të tjerë

Tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë që vranë Martin Bardhin në qendër të Rrëshenit. Burime bëjnë me dije se 3 të tjerët janë dërguar në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
‘Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrëshen, ku nga shtetas ende të paidentifikuar, u vra me armë zjarri shtetasi M. M. (B.)., ju informojmë se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, shtetasit I. B., I. B. dhe O. Gj., të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.’- njofton policia.
Atentat 59-vjeçarit në Rrëshen, gjendet një makinë e djegur në Gëziq të Mirditës, RENEA e FNSH në aksion për kapjen e autorëve

Gjendet një makinë e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës, e cila dyshohet se u përket autorëve të atentatit të sotëm në Rrëshen ku u ekzekutua Martin Bardhi ndërsa u plagosën 3 të tjerë.Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.

Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Advertisement