Bota
Vritet kreu i 007 në Iran, Khamenei strehohet në bunker, eksod masiv nga Teherani

Thirrjet e Donald Trump për t’i dhënë fund përmes një marrëveshje, konfliktit më të ri në lindjen e Mesme nuk u dëgjuan. Izraeli dhe Irani intensifikuan sulmet në ditën e tretë të luftës mes tyre. Izraeli tha të dielën se nisi një breshëri sulmesh ndëshkuese në të gjithë Iranin, duke goditur objektiva nga perëndimi në Teheran dhe deri në lindje të aeroportit të Mashhadit. Gjendja e jashtëzakonshme është zgjatur në të gjithë vendin dhe do të vijojë deri më 30 qershor. Këto sulme sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu janë çmimi që Irani duhet të paguajë për vrasjen e civilëve izraelitë: Deri tani 14 viktima. Mes izraelitëve raportohet edhe për 300 të plagosur. Netanyahu i tha Fox News se Izraeli kishte vrarë shefin e inteligjencës së Iranit, Mohammad Kazemi dhe zëvendësin e tij në Teheran. Ushtria izraelite pretendon gjithashtu se ka sulmuar selinë bërthamore të Iranit dhe bazat raketore.
Hapa pas nuk bën as Irani. Autoritetet atje thonë se do të hapin xhamitë, stacionet e metrove dhe shkollat si strehimore të improvizuara kundër bombave izraelite. Irani ka njoftuar se po hedh raketa mbi Tel Aviv, Haifa dhe qytete të tjera, disa prej të cilave raportohet se nuk janë kapur nga sistemi mbrojtës izraelit. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende këtë fakt. Sulmet ajrore iraniane goditën Jerusalemin dhe Lartësitë e Golanit, sirenat u dëgjuan sërish në Tel Aviv dhe në veri të vendit. Teherani ka njoftuar po ashtu se ka arrestuar dy anëtarë të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad ndërsa po përgatisnin bomba Dekadat e një armiqësie në hije mes dy vendeve armike të përbetuara, kulmuan në shkëmbim zjarri 3 ditë më parë dhe intensiteti është i tillë thotë AFP sa ngjall frikën e nisjes së një lufte të gjatë që mund të përfshijë të gjithë Lindjen e Mesme.
Kreu i agjencisë së inteligjencës së Iranit dhe zëvendësi i tij u vranë sot në sulmet ajrore izraelite, raporton agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Tasnin. Sipas agjencisë, Mohammad Kazemi, kreu i Organizatës së Inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), drejtoi njërën nga dy agjencitë kryesore të inteligjencës në vend. Izraeli ka synuar bazat e Iranit dhe shkencëtarët bërthamorë. Përcet dy viktimave të tanishme, Tel Avivi ka ekzekutuar edhe 14 shkencëtarë të tjerë bërthamorë. Disa prej këtyre janë: Fereydoon Abbasi, inxhinier bërthamor; Mohammad Mehdi Tehranchi, fizikant; Akbar Motalebi Zadeh, inxhinier kimik; Saeed Barji, inxhinier materialesh; Amir Hassan Fakhahi, fizikant; Abd al-Hamid Minousehr, fizikant reaktori; Mansour Asgari, fizikant; Ahmad Reza Zolfaghari Daryani, inxhinier bërthamor; dhe Ali Bakhouei Katirimi, inxhinier.
Ushtria iraniane paralajmëroi banorët e Izraelit që të evakuohen nga zonat afër vendeve të rëndësishme ushtarake dhe shkencore izraelite për sigurinë e tyre, në një video deklaratë në televizionin shtetëror iranian. Koloneli Reza Sayad, zëdhënës i forcave të armatosura të Iranit, bëri njoftimin ndërsa një breshëri predhash iraniane u lëshuan në të gjithë Izraelin. Sayad i paralajmëroi njerëzit në Izrael të mos jetojnë afër ose të udhëtojnë drejt “vendeve jetësore, të ndjeshme dhe të rëndësishme”, sepse ushtria iraniane ka një bazë të dhënash të këtyre objektivave që po vazhdon t’i godasë. Ai tha se Irani tashmë ka “goditur me sukses objektiva të ndjeshme dhe të rëndësishme, duke përfshirë qendrat ushtarake dhe të sigurisë”, në Izrael. Paralajmërimi i Iranit vjen pasi Izraeli lëshoi një paralajmërim të ngjashëm më herët. Izraeli u tha iranianëve që jetonin pranë objekteve të prodhimit të armëve të evakuoheshin, duke thënë se të qenit afër do të rrezikonte jetën e tyre.

