Aktualitet
Vuçeviç dezinformon për praninë e trupave serbe në kufirin me Kosovën
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçevic, përdor rrjetet sociale për të përhapur dezinformata për praninë e Ushtrisë Serbe në kufirin me Kosovën. Ai pretendoi se në kufi ka prej vitesh baza ushtarake të Ushtrisë Serbe dhe se Serbia nuk po shkel asnjë marrëveshje ndërkombëtare.
“Këto baza ushtarake të ushtrisë serbe janë aty prej vitesh dhe Serbia nuk po shkel asnjë marrëveshje apo dokument ndërkombëtar, përfshirë Rezolutën 1244 të OKB-së. Fakti që Kurti tani po përpiqet të bëjë dramë mediatike, nuk është gjë tjetër veçse t’u shesë mjegull sponsorëve të tij perëndimorë. Nuk ka viktima dhe askush nuk është në rrezik, përveç popullit serb në Kosovë” – deklaroi Vucevic
Imazhet satelitore dhe raportet nga vëzhguesit ndërkombëtarë tregojnë se Serbia ka përforcuar ndjeshëm infrastrukturën e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën gjatë viteve të fundit.
Krijimi i bazave të reja është një përpjekje e qartë përshkallëzimi dhe provokimi që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje që të bëhet presion ndaj Serbisë për praninë e 48 bazave operative, të cilat sipas tij kanë nga 50 deri në 150 ushtarë, që presin një mundësi për të hyrë në Kosovë. Këto pretendime mbështeten edhe nga raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë që vënë në dukje rritjen e aktivitetit ushtarak nga Serbia.