Kosova
Vuçiç: Është e rëndësishme që SHBA-të e ndëshkuan Prishtinën për herë të parë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç duke folur lidhur me vendimin e SHBA-së për të pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën, theksoi se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara e kanë ndëshkuar Prishtinën për herë të parë dhe sipas tij,
ky është një ndryshim i madh në politikën e jashtme amerikane.
“Është e rëndësishme që për herë të parë ata ndërmorën një hap të vërtetë dhe e ndëshkuan Prishtinën me diçka, sepse gjithçka tjetër ishin vetem fjalë boshe…gjithçka që bëri Evropa ishin boshe”, vuri në dukje presidenti serb.
Ai shtoi se Donald Trump, nëse vazhdon të merret me “të çmendurit e majtë” dhe ndjek politikë normale, do të mbahet mend si një president amerikan që u përpoq të bënte shumë gjëra të mëdha.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi më herët se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e SHBA-së për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Përveç Kosovës, SHBA-të kanë pezulluar dialogun strategjik me vende të tilla si Pakistani, Rusia dhe Gjeorgjia.

