Kronike
Xhaçka takon homologun grek

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka ka zhvilluar këtë të premte një takim me homologun e saj grek Nikos Dendias.
Gjatë këtij takimi është zhvilluar një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Ajo çfarë kanë zbardhur mediat greke, është që Dendias, I ka kërkuar Ministres Xhaçka, të shqyrtojë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje që do t’i referojë përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike të Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Rezultati i këtij takimi kryesisht do të përcaktojë rezultatin e vizitës së javës së ardhshme në Shqipëri të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ku pritet të takohet me homologun e tij shqiptar Edi Rama. Pavarësisht se ka pasur dakordësi për arritjen e një marrëveshjeje, deri tani asnjë takim në nivel teknik nuk ka ndodh për të vënë pikat mbi i të kësaj marrëveshjeje.
Ndërkaq, ministrja e jashtme Xhaçka, ka reaguar në facebook, duke shprehur mirënjohje për homologun e saj grek dhe rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve. Sipas ministres, gjatë takimit është ndarë i njëjti vizion për të ardhmen dhe marrëdhënien mes dy vendeve, për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit dhe të rajonit.

