Connect with us

Aktualitet

Zbardhet dinamika e plotë, ja si ndodhi sulmi ndaj Top Channel

00:34 ishte momenti kur Pal Kola humbi jetën pas një sulmi me breshëri kallashnikovi ndaj institucionit që ai punonte, në Top Channel. Vetëm 3 minuta para se dhjetëra plumba kallashnikovi të shkreheshin në drejtim të një prej televizioneve më të mëdha në vend, Top Channel, gazetarët e fundit të kësaj mediaje ishin larguar nga ambientet e punës së tyre, duke shmangur kështu një tragjedi. Gazetarët sapo kishin transmetuar edicionin e fundit të lajmeve dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë që roja kishte mbyllur derën dhe kishte shkuar që të ngrohej e të mbrohej nga shiu, pa e ditur që pikërisht aty mori një plumb që i kushtoi jetën.

Makina e autorëve, që mendohet se ishin 3, një ‘Range Rover’ që është gjetur më pas e djegur në Golem të Kavajës me 2 kallashnikovë brenda që kishin shpëtuar nga flakët. Mjeti nuk është i regjistruar në Shqipëri, e dyshimet paraprake janë se makina luksoze është vjedhur fillimisht në Angli. Ndërsa targa e mjetit, raportohet se është vjedhur nga kameramani i emisionit “Inside Story”. Të gjitha këto detaje lënë të kuptohet vetëm diçka; sulmi i mbrëmshëm ka qenë i mirëmenduar dhe i organizuar ne detaje për të mos lënë gjurmë pas. “Shpresat” për identifikimin e autorëve janë tek 2 kamerava; një kamera e subjektit Top Channel dhe një kamera tjetër vetëm pak metra metra më tej; e nëse autorët kanë qenë të pakujdesshëm dhe kanë lënë shenja identifikuese në armë apo dhe në mjetin e djegur. Një gjurmë e vogël mjafton për të identifikuar autorët.

Pas largimit nga Tirana, në Golem, një roje në zonën ku është djegur automjeti, ka parë 4 persona që largoheshin vetë 23 sekonda pas vënies së zjarrit, makinës dhe dyshohet të jenë larguar me dy makina të ndryshme, përkatësisht një BMë e zezë dhe një Audi gri. E me pas janë larguar në jug të vendit për t’u fshehur. Nga burime jozyrtare është mësuar se në Vlorë janë kapur 2 të rinj nga Shkodra që mendohet se kanë lidhje me ngjarjen, por Policia e Shtetit ka zgjedhur që të heshtë dhe të mos dalë ende me një reagim zyrtar, ndërkohë që aludimet për arsyen e sulmit veçse shtohen.

Viktima edhe njëherë ishte një i pafajshmëm…një roje që pasurinë e vetme kishte 5 lekë që i kishin rënë nga xhepi pasi ishte rrëzuar në tokë!

Advertisement