Connect with us

Politike

Zbardhet mbledhja me dyer të mbyllura e Grupit të PD: Po tretemi

Prej vjeshtës së shkuar, Sali Berisha dhe Gazment Bardhi kanë bashkuar jo vetëm numrat, por edhe forcat kundër shumicës socialiste, e cila vijon ti injorojë kërkesat e grupit kuvendor demokrat.

Mosbindja civile do shfaqet edhe këtë të enjte ne parlament, por 24 orë para zbatimit te skenarit bllokues ne seance plenare,  mes demokratëve pati zëra ndryshe. I pari ishte Agron Gjekmarkaj i cili kërkoi ne mbledhjen e grupit ndryshim kursi, radikalizim ose kthim në normalitet.

“Ky qëndrim opozitar ka pasur një rëndësi themelore për opozitën, pasi pas 2 vitesh, nuk luftuam më me njëri-tjetrin, por u përballëm me qeverinë. Opinioni publik konfirmon se ne kishim të drejtë për kërkesat tona, të drejtat kushtetuese, mosndërhyrjen në punët e brendshme të PD, për komisionet hetimore parlamentare.

Në të njëjtën kohë, kur kemi hyrë në muajin e katërt, kur edhe reagimi i faktorit ndërkombëtar është i vakët, po shoh që kryeministri po luan nga pozitat e forcës dhe nuk ka ndërmend të lëshojë, qofsha i gabuar nga mungesa e eksperiencës, madje po mendoj se atij i intereson të jemi pa zë dhe pa figurë, mos të artikulojmë asgjë, pra të jemi në barrikadën e protestës dhe jo në tribunën e fjalës.

Kjo sepse ai (Rama) e ka më të lehtë të përballet nëpërmjet kësisoj sesa ndërmjet debatit intensiv. Ai vazhdon e qeveris dhe ecën me axhenden e vet ne rrimë vendnumëro. Në këtë pikë që jemi besoj se na duhet një diversifikim i aksionit, ku fuqia e protestës të alternohet me fuqinë e fjalës dhe t’i japë prioritet i saj. Të funksionuarit si “grup i gatshëm” duhet të ketë një limit. Pra ato çështje që ne i kemi ngritur në emër të protestës, t’i kthejmë në tema, debate në Parlament, të akuzojmë qeverinë pa fund për këtë autoritarizëm.”

I të njëjtit mendim u shfaq edhe deputeti Xhelal Mziu, i cili mbështeti idenë e kthimit të faqes në aksionin opozitar dhe zbritjen ne terren.

“Ne duhet të dalim nga situata. Elektorati i PD po tretet. Unë se kam problem personal. Dal deputet në çdo formë, edhe i pavarur. Kjo nuk është çështje personale. Por, duhet të dalim në terren”, u shpreh Mziu.
Advertisement