Kronike
Zbardhet vrasja e shqiptarit në Athinë, arrestohet ekzekutori! 27-vjeçari: Më paguan 15 mijë euro, urdhri erdhi nga burgu

Autoritetet greke kanë arrestuar një 27-vjeçar i dyshuar si vrasësi i shqiptarit Artur Bashimi, ngjarje e ndodhur më 18 gusht 2025 në lagjen Agios Panteleimonas në Athinë.
Mediat greke kanë bërë me dije se i arrestuari, identiteti i të cilit nuk është bërë me dije, ka pranuar autorësinë përpara hetuesve duke treguar se për eleminimin e 47-vjeçarit shqiptar, është paguar 15.000 euro.
Ai deklaroi se nuk e njeh personi që “urdhëroi” ekzekutimin, as arsyet pse donte ta eliminonte shqiptarin, por shtoi se porosia iu përcoll përmes kontakteve nga brenda burgut.
Autori i vrasjes nuk është një personazh i panjohur për policinë greke pasi njihet si një përdorues i rregullt i lëndëve narkotike.
Vrasja e 47-vjeçarit Artur Bashimi ka ndodhur pasditen e 18 gushtit në kryqëzimin e rrugëve Michael Voda dhe Rodou në Athinë.
Kamerat e sigurisë në lagjen ku ka ndodhur krimi kanë filmuar me detaje të gjithë skenën e ekzekutimit. Fillimisht autorit, një burrë mesatar i veshur me të zeza, siç e përshkruajnë mediat greke, ka mbërritur në vendngjarje me një motor. Ai ka pritur në këmbë objektivin e tij, pra Artur Bashimin.
Në momentin që ky i fundit ka ardhur, autori i është afruar dhe e ka qëlluar me një plumb në gjoks. Vrasësi ka tentuar të qëllojë për herë të dytë, por arma i është bllokuar. Pas vrasjes, autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Ende mbetet e paqartë nëse dikush e ka nxjerrë viktimën në pritë apo lëvizjet e këtij të fundit kanë qenë të mirë llogaritura nga vrasësi.

