Politike
“Zbresim në bazë”, Këlliçi përjashton bojkotin e Kuvendit, zbulon detaje nga aksioni opozitar
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka zbuluar detaje nga aksioni opozitar dhe rruga që PD do të ndjekë pasi socialistët i refuzuan ngritjen e komisioneve hetimore për çështjen McGonigal dhe “11 Majin”.
Këlliçi tha se ashtu siç ishte paralajmëruar, pas publikimit të raportit të plotë të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare, PD do të nisë analizën e saj, duke zbritur menjëherë në bazë.
“Që të jem fare i qartë. E para është marrë vendimi për të nisur ashtu siç kishim premtuar shpeshherë. Është marrë vendimi për të nisur menjëherë zbritjen në terren dhe një komunikim dhe dialog të gjerë të deputetëve me qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe me anëtarësinë tonë dhe me bazën tonë të Partisë Demokratike dhe mbi të gjitha paralelisht nisjen e procesit të analizës sepse tashmë raporti i OSBE/ODIHR-it doli. Ne kemi thënë që presim raportin final për të nisur procesin e analizës. Ky raport tashmë është publik. Faktoi të gjitha pretendimet e Partisë Demokratike për një farsë elektorale të ndodhur në datë 11 maj dhe tashmë nuk ka më kohë për të humbur dhe ne do duhet të zbresim fillimisht të sqarojmë të gjithë bazën e partisë tonë për raportin, më pas të kemi një dialog me qytetarët”, tha Këlliçi.
Më tej ligjvënësi opozitar bëri me dije se të hënën në orën 13:00 do të mblidhet Kryesia e PD për të vendosur qasjen në raport me Kuvendin.