Connect with us

Bota

Zbulim i ri kundër kancerit! Ilaçi eksperimental dyfishon mbijetesën për pacientët e prekur

Një ilaç i ri imunoterapie kundër kancerit ka ndihmuar pacientët me kancer në kokë dhe qafë të jetojnë dyfish më gjatë pa u rikthyer sëmundja. Studiuesit e përshkruajnë këtë si përparimin më të madh në trajtimin e këtij lloji të kancerit në 20 vitet e fundit. Mijëra pacientë në mbarë botën mund të përfitojnë nga kjo terapi, e cila potencialisht do të ndryshojë rrënjësisht qasjen ndaj një sëmundjeje që deri më tani ka qenë tepër e vështirë për t’u trajtuar, shkruan BBC.

Laura Marston, 45 vjeç, nga Derbyshire në Angli, është një nga mbi 350 pacientët që morën pjesë në provën klinike. Pas diagnostikimit me kancer të avancuar në vitin 2019, mjekët i dhanë vetëm 30% shanse për të mbijetuar pesë vitet e ardhshme. Sot, gjashtë vjet më vonë, ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdon punën me kohë të plotë.

“Jam e habitur që jam ende gjallë,” – thotë Laura. “Kjo terapi më ka rikthyer jetën.”

Laura iu nënshtrua trajtimit me ‘pembrolizumab’, një ilaç imunoterapie që iu dha para dhe pas operacionit. Qëllimi ishte të aktivizohej sistemi imunitar që të njohë dhe luftojë kancerin në rast se ai rikthehet.

Rezultate që ndryshojnë jetën

Krahasuar me trajtimin standard, pacientët që morën pembrolizumab para dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale jetuan, mesatarisht, pesë vjet pa rikthim të kancerit, krahasuar me vetëm 2.5 vjet tek grupi tjetër.

Gjithashtu, pas tre vitesh, rreziku për përhapjen e sëmundjes në pjesë të tjera të trupit u ul me 10%.

Profesor Kevin Harrington, udhëheqësi i studimit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se “ilaçi ndihmon trupin të zhvillojë një reagim të fuqishëm imunitar kundër tumoreve, dhe e mban atë reagim aktiv edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale.”

“Ky trajtim mund të ndryshojë rrënjësisht trajtimin e pacientëve me kancer në kokë dhe qafë. Ai e zvogëlon ndjeshëm rrezikun e përhapjes së sëmundjes, që është faza më e rrezikshme për jetën e pacientëve,” – tha Harrington.

Ilaçi që ‘i trajnon’ qelizat e trupit

Sekreti i suksesit, sipas studiuesve, është dhënia e ilaçit para operacionit, në mënyrë që sistemi imunitar të “shohë” tumorin dhe të mësojë ta sulmojë në të ardhmen.

Laura, e cila humbi gjuhën gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, por rifitoi aftësinë për të folur e ngrënë falë një ndërhyrjeje rindërtuese, thotë se imunoterapia ka qenë “fenomenale”. “Nuk besoja se do të isha këtu për të treguar historinë time,” shton ajo.

Të dhënat nga studimi

Studimi klinik Keynote përfshiu 192 spitale në 24 vende, dhe u drejtua nga Universiteti i Uashingtonit në ShBA. Ai u financua nga kompania farmaceutike MSD.

Rezultatet do të prezantohen në Kongresin vjetor të Shoqatës Amerikane për Onkologjinë Klinike (ASCO).

Rreth 12,800 raste të reja me kancer në kokë dhe qafë diagnostikohen çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar.

Advertisement