Connect with us

Bota

Zelensky kërkon ndihmën e Perëndimit: Ne kemi nevojë tani për unitetin tuaj

Me një takim në Mynih, nënpresidentja amerikane Kamala Harris siguroi presidentin ukrainas se Uashingtoni do të mbetet përkrah Kievit për sa kohë që është e nevojshme.

Ndërsa paketa e re e ndihmës për Ukrainën përballet me shumë kundërshti nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti Zelensky ka theksuar se shumica e popullsisë amerikane mbështet kauzën e vendit të tij. Ai po kërkon nga Perëndimi të vazhdojë ndihmën ndaj vendit të tij. Në të njëjtën kohë, ushtria ukrainase ka njoftuar se është tërhequr nga qyteti i shkatërruar lindor Avdiivka, duke i hapur rrugën ushtrisë ruse për të bërë përparimin më të madh që kur pushtoi qytetin e Bakhmutit më maj të kaluar.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris zhvilloi një takim me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën.

Takimi u zhvillua në një kohë kur aleatët evropianë po i bëjnë thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara të miratojnë një paketë prej 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.

Kjo shumë do të përdorej për t’i dërguar Ukrainës raketa, municione dhe pajisje të tjera ushtarake për t’i përdorur në fushën e betejës

“Hera e fundit që ju kam takuar, ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe dje mbajta një fjalim në të cilin thashë publikisht atë që unë dhe Presidenti Biden ju kemi thënë shumë herë: Ne qëndrojmë me Ukrainën. Ne kemi qëndruar me Ukrainën që nga dita e parë”, deklaroi nënpresidentja amerikane.

Ndërsa paketa e re e ndihmës për Ukrainën përballet me kundërshti të shumta nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti Zelenskytha se shumica e popullsisë amerikane mbështet kauzën e vendit të tij.

“Ne kemi nevojë tani për unitetin tuaj gjatë një periudhe kaq sfiduese për ne. Dhe, natyrisht në Shtetet e Bashkuara është një periudhë sfiduese. Ne i kuptojmë të gjitha”, tha Zelensky.

Ndihmat perëndimore për Ukrainën duken se janë të domosdoshme, ndërsa nga fusha e betejës për Kievin dhe aleatët po vijnë lajme jo fort të mira.

Ushtria ukrainase njoftoi se ka tërhequr forcat e saj nga qyteti i shkatërruar lindor Avdiivka, duke hapur rrugën për ushtrinë ruse për të bërë përparimin më të madh që kur pushtoi qytetin e Bakhmutit majin e kaluar.

Gjeneral-koloneli Oleksandr Syrskyi, i cili mori komandën e ushtrisë ukrainase javën e kaluar, bëri të ditur se forcat ukrainase janë zhvendosur në pozicione më të sigurta jashtë qytetit, i cili ka një popullsi të paraluftës prej 32 mijë banorësh.

Ekspertët vlerësojnë se, pas gati dy vjetëve nga fillimi i agresionit, tërheqja është shenjë e qartë se lufta ka përfshirë favorin e Moskës, pasi një kundërofensivë ukrainase nuk arriti të depërtojë linjat ruse vitin e kaluar.

“Tërheqja u krye sipas planit, por disa ushtarë ukrainas u kapën nga Rusia në momentet përfundimtare”, tha gjenerali Oleksandr Tarnavskyi, por pa specifikuar numrin.

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi në fillim të kësaj jave se qyteti Avdiivka mund të bjerë në duart e forcave ruse për shkak të mungesës së municioneve.

Marrja e qytetit do t’i japë Presidentit Vladimir Putin një fitore në fushëbetejë, ndërsa ai kërkon rizgjedhjen muajin e ardhshëm dhe është një tjetër hap i vogël drejt synimit të Rusisë për të siguruar kontrollin e plotë të dy provincave që përbëjnë rajonin industrial të Donbasit.

Advertisement