Bota
Zgjedhjet presidenciale në SHBA/ Cilat shtete janë në fokus?
Votuesit amerikanë, në zgjedhjet presidenciale, votojnë në 50 shtete dhe në Qarkun e Kolumbisë.
Disa shtete votojnë historikisht për një parti të veçantë – për shembull, Kalifornia për demokratët ose Teksasi dhe Alaska për republikanët.
Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se rezultati i tillë do të jetë edhe në këto zgjedhje.
Në këto zgjedhje, pasiguri pritet të ketë në: Arizonë, Floridë, Xhorxhia, Miçigen, Minesotë, Karolinë të Veriut, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Vëmendje e madhe i kushtohet Floridës, shtet me 29 vota elektorale, që është fituar nga Trump në zgjedhjet e vitit 2016.
Pensilvania, e cila gjithashtu ka votuar për Trumpin në zgjedhjet e 2016-ës, ka 20 vota elektorale. Sipas një analize të agjencisë AP, Biden, i cili është me origjinë nga ky shtet, ka një avantazh të vogël, por të tjerët pretendojnë se pozicioni i Trumpit mbetet i fortë. Të dy kandidatët i kanë kaluar ditët e fundit të fushatës në Pensilvani, me shpresën për të tërhequr sa më shumë votues të pavendosur.
Xhorxhia, shtet që nuk ka votuar për kandidat demokrat që nga vitet 1990, po përjeton një ndryshim në popullsi, shkruan AP.
Miçigeni, me 16 vota elektorale, është konsideruar prej kohësh si fortesë e demokratëve, por Trump po ashtu ka fituar vota atje, në zgjedhjet e mëparshme.
Arizona, me 11 vota elektorale, ka një histori të gjatë të votimit për republikanët, gjë që është treguar e vërtetë edhe në zgjedhjet e mëparshme. Por, sipas AP-së, kjo tani nuk mund të thuhet me siguri, marrë parasysh rritjen e popullsisë latine.
Uiskonsini, ku Trump ka fituar në vitin 2016, ka dhjetë vota elektorale. Siç parashikon AP, Trump, për të fituar këtë vit, duhet të ketë sukses të mirë në zonat urbane.