Bota
Zgjedhjet presidenciale në SHBA/ Trump: Do ta shpall fitoren vetëm kur të ketë fitore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se fushata e tij ka parë “ndryshime të jashtëzakonshme gjatë javës së fundit”, të cilat sinjalizojnë rizgjedhjen e tij president.
Trump foli për Fox News, në ditën kur qytetarët amerikanë zgjedhin presidentin.
Në garë për Shtëpinë e Bardhë janë: Trump, nga Partia Republikane, dhe Joe Biden, nga Partia Demokratike.
I pyetur për shpalljen e fitores, Trump tha se do ta shpallë atë “vetëm kur të ketë fitore”.
“Nuk ka nevojë për të luajtur lojëra”, tha Trump.
Gjatë një vizite më vonë në zyrat e Komitetit Kombëtar Republikan në Arlington të Virxhinias, Trump po ashtu pranoi se mund të humbasë në zgjedhje.
“Mendoj se do të kemi një natë të mrekullueshme, por është politikë, janë zgjedhje dhe nuk e dini kurrë”, tha Trump.
Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota të Kolegjit Zgjedhor, të cilat nuk përcaktohen nga vota e popullit, por nga shtetet që i fitojnë.