Connect with us

Sport

Zvonimir Boban flet hapur: Igli Tare është njeriu i duhur, më në fund e kuptuan te Milani sa gabuan

Ish-drejtuesi i Milanit dhe legjenda e futbollit kroat, Zvonimir Boban, ka folur pa dorashka për situatën aktuale te kuqezinjtë, duke kritikuar mënyrën se si është menaxhuar klubi vitet e fundit, si dhe duke përmendur emra konkretë që sipas tij mund ta çojnë Milanin sërish drejt majave.

“Edhe pse me vonesë, duket se më në fund e kuptuan te Milani sa paaftësi kishte në zgjedhjen e personave të duhur në pozicionet e duhura,” – tha Boban. “Klubi nuk është thjesht biznes. Futbolli është sport, është ndjenjë, është lidhje me njerëzit e fushës. Ata mendonin se mjafton një skaut, një administrator, një president dhe një trajner. Por nuk funksionon kështu.”

Sipas Boban, një figurë kyçe mungoi në strukturën e klubit: njeriu i fushës, ai që ruan baraspeshën dhe ndihmon në momentet e vështira.

“Duhet dikush që të jetë pranë ekipit çdo ditë, që të flasë me trajnerin, të kuptojë ndjesitë, të mbajë grupin të lidhur. Ky është roli i një drejtori sportiv të vërtetë.”

Në këtë kontekst, Boban përmendi me vlerësim emrin e Igli Tares, ish-drejtorit sportiv të Lazios:

“Tare është një drejtor sportiv i shkëlqyer sipas mendimit tim. Ai kupton futbollin, mendon për çdo detaj dhe punon 24 orë në ditë. E njeh mirë momentin kur duhet të ndërhyjë me lojtarët apo trajnerin. Kjo është e pazëvendësueshme. Por biznesmenët që nuk kanë qenë kurrë në futboll nuk e kuptojnë këtë nevojë – dhe për mua, ky ka qenë një gabim shumë serioz.”

Në fund, Boban dha një sinjal shprese për të ardhmen:

“Më vjen mirë që e kuptuan se kishin humbur rrugën. Shpresoj që me ardhjen e Allegrit, Milani të rikthehet aty ku i takon – jo për të fituar thjesht një Kupë Italie apo Superkupë, por për t’u rikthyer në elitën e vërtetë.”

Advertisement