Sport
Zyrtare/ Milani shkarkon Fonsecan, i beson një tjetër trajneri portugez
Barazimi 1-1 në shtëpi kundër Romës ‘derdhi kupën’ e mbushur për trajnerin Paulo Fonseca, me Milanin që vendosi shkarkimin e tij pas vetëm gjashtë muajsh në krye të stolit. Tanimë kuqezinjtë kanë gjetur zëvendësuesin dhe ai është një tjetër portugez, i njohur për punën e bërë si trajner te Porto. Sérgio Conceição do marrë frenat e ekipit me objektivin që është “lufta” për titull dhe qëndrimi mes katër ekipeve më të mira.
50-vjeçari është i njohur në Serie A pasi si futbollist ka shkëlqyer me Lazion si dhe ka qenë pjesë e Interit dhe Parmës (1998-2004). Si trajner Sérgio Conceição ka drejtuar Olhanense, Coimbra, Braga, Guimaraes, Nantes dhe së fundmi Porton. Portugezi pritet që të hedhë firmën në kontratë, por interesant është fakti se i biri, Francisco është pjesë e Juventusit po në Serie A.
Paulo Fonseca
Menjëherë pas ndeshjes së barazuar 1-1 në Milano kundër Romës për Serie A, drejtuesit kanë folur me trajnerin dhe i kanë komunikuar shkarkimin, gjë që u konfirmua nga vetë 51-vjeçari për mediet rrugës duke u larguar nga “San Siro”. Vetëm 43 minuta në stol gjatë ndeshjes së fundit për Fonsecan që pa të dilte me karton të kuq.
Shifrat
Paulo Fonseca u ul në stolin e Milanit më 1 korrik 2024 dhe në gjashtë muaj e drejtoi ekipin 24 ndeshje në të gjitha kompeticionet. 12 fitore, gjashtë barazime dhe gjashtë humbje; këto janë shifrat e tij.
27 pikët e grumbulluara në Serie A dhe vendi i tetë në renditje nuk e kanë shpëtuar ish-trajnerin që bëri mirë sezonin e shkuar te Lille dhe bindi Milanin. Në fjalët e fundit si i shkarkuar portugezi tha se e kishte ndërgjegjien e qetë.
“Sapo mësova se jam shkarkuar nga klubi. Kështu është jeta, kështu është, ndërgjegjja ime është e qetë sepse bëra gjithçka që munda ”, tha 51-vjeçari portugez.