Politike
ZYRTARE! Rama shkarkon Veliajn nga posti i kryebashkiakut të Tiranës

Ka përfunduar mbledhja e qeverisë në kryeministri, ku është miratuar kërkesa e këshillit bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt. Vendimi është firmosur në mbledhjen e sotme të qeverisë, pasi dje prefekti i Tiranës e kishte përcjellë kërkesën e Këshillit Bashkiak drejt kryeministrisë. Këshilli Bashkiak e shkarkoi Veliajn, më 23 shtator, me 50 vota pro të PS-së dhe PD-së, duke iu referuar ligjit të vetëqeverisjes vendore, se shkarkimi i kryetarit mund të kërkohet pasi ai mungon për 3 muaj rresht në detyrë.
Vendimi i shkarkimit i cili do ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, pritet të kundërshtohet nga Erion Veliaj. Ky i fundit ka të drejtë të ankimojë vendimin e marrë në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Kushtetuesja më pas është organi që jep verdiktin.
Por pavarësisht rrugës ligjore që mund të ndjekë apo jo Veliaj, socialistët kanë ndezur motorët për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, duke shprehur mbështetjen e pakursyer për kandidaten e tyre Ogerta Manastirliu. Në disa takime të njëpasnjshmë që zhvilloi dje kreu i qeverisë, me ministra dhe deputetë të qarkut të Tiranës shprehu nevojën që kryeqyteti të ketë sa më parë në drejtim një kryebashkiak të zgjedhur. Po ashtu një prej vendimeve të marra dje nga Rama, ishte caktimi i Belinda Ballukut në krye të drejtim politik të qarkut të Tiranës, ku sfida e parë do të jenë zgjedhjet e parakohshme.
Nga ana tjetër, opozita ka hezituar të paraqesë kandidatin apo kandidaten e saj për drejtimin e Bashkisë, me pretendimin se emri synon të jetë një figurë e gjithëpranuar ndërmjet aleatëve.
Gjatë fjalës së tij në selinë e PS-së, kryeministri Edi Rama shprehu nevojën e një katarsisi në drejtimin e bashkisë së Tiranës, duke mos i fshehur pakënaqësitë.
“Tema jonë si PS është sot të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë. Me kandidaten e duhur dhe me organizimin e mbështetjen e duhur do të marrim rezultatin e duhur. Më vjen shumë mirë që, siç edhe ju të gjithë, kandidatura e Ogertës ka qenë mbështetje e plotë e familjes sonë politike. Ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë dhe janë me një mendje që është radha e saj për të udhëhequr Tiranën,
Aq e fortë është mbështetja për Ogertën, sa është pa interes kush do të jenë kandidatët rivalë që do hyjnë në garë të humbur dhe do dalin edhe më të humbur. Edhe nga anketimi në Tiranë është e qartë që shumica e qytetarëve e kanë hallin te problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga Bashkia e Tiranës”, tha dje Rama pas mbledhjes në selinë e PS.
Rama theksoi se është me domosdoshmëri zgjedhja e një kryetari të ri në krye të Bashkisë së Tiranës, pasi sipas tij një sërë çështjesh kërkojnë që të adresohen në mënyrë urgjente.
“Mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik për të kuptuar që aty ka nevojë për motivim të njerëzve. Mjafton të shohësh rënien dramatike të nivelit të investimeve. Kjo shtuar dhe domosdoshmërisë për një proces katarsisi burimor në kuptimin e vetëpastrimit të Bashkisë së Tiranës, siç bëmë në bashkitë e tjera, kërkon legjitimin e udhëheqjes së re që mos kemi më situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo drejtues të njësive vendore dhe të cilën ne do ta adresojmë në paketën e re që do kalojmë në qeveri”, përfundoi Rama.

