Connect with us

Politike

0 tolerim/ Ministrat do të japin sot “llogari” para Ramës

Ministrat e kabinetit qeveritar mblidhen këtë të hënë në Pogradec, në kuadër të një “retreat”-i të thirrur nga kryeministri Edi Rama, ku në fokus do të jetë analiza e punës së bërë gjatë pjesës së parë të mandatit të katërt qeverisës.

Secili dikaster do të japë “llogari” të kreu i qeverisë, ku të gjithë ministrat një për një do të raportojnë rezultatet e arritura, problematikat e hasura gjatë muajve të parë të mandatit, si dhe objektivat që mbeten për t’u përmbushur në vijim.

“Retreat”-i i qeverisë vjen një ditë pas takimit të gjatë të Edi Ramës me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare. Takimi i zhvilluar të dielën në Pogradec zgjati rreth shtatë orë dhe u përqendrua te organizimi dhe përgatitjet e mazhorancës për fazën e ardhshme të punës politike e parlamentare.

Një prej pikave të diskutuara ishte edhe mënyra e re e trajtimit të kërkesave dhe problematikave të qytetarëve. Në këtë kuadër, Rama prezantoi mekanizma të rinj, mes tyre “Pasqyra Albania”, një platformë përmes së cilës synohet që shqetësimet e qytetarëve të pasqyrohen dhe të ndiqen në kohë reale.

Sipas kryeministrit qëllimi i kësaj platforme është që kërkesat e qytetarëve të mos mbeten thjesht në nivelin e një ankese apo kërkese administrative, por të jenë të gjurmueshme në çdo fazë të trajtimit të tyre. Përmes këtij mekanizmi synohet të bëhet më e qartë edhe përgjegjësia e institucioneve, respektimi i afateve dhe ecuria konkrete e çdo çështjeje.

Advertisement