Lifestyle
Unaza që mori gjithë vëmendjen: Diamanti i Alessandra Ambrosios mund të vlejë deri në 500 mijë dollarëb
Alessandra Ambrosio ka konfirmuar fejesën me dizajnerin australian të bizhuterive Buck Palmer, por përveç propozimit romantik, vëmendjen e ka marrë unaza e saj luksoze.
Supermodelja braziliane publikoi në rrjetet sociale pamje nga momenti i veçantë, ku shfaqej me një diamant të madh në dorën e majtë. Propozimi kishte ndodhur katër muaj më parë, gjatë një udhëtimi në Indonezi, por çifti vendosi ta mbante lajmin privat deri në muajin gusht.
Çfarë dihet për unazën?
Sipas ekspertëve të bizhuterive të cituar nga mediat amerikane, unaza përmban një diamant të zgjatur me prerje “cushion”, të vendosur në një kornizë prej ari të verdhë.
Diamanti vlerësohet të jetë rreth 5 deri në 7 karatë, ndërsa çmimi i mundshëm llogaritet nga 200 mijë deri në 500 mijë dollarë, në varësi të origjinës, pastërtisë, ngjyrës dhe cilësisë së gurit.
Megjithatë, kjo shumë nuk është konfirmuar nga çifti dhe mbetet vetëm një vlerësim i bërë nga ekspertët duke u bazuar në fotografi. Nuk është bërë e ditur as nëse unaza është realizuar nga vetë Palmer, i cili punon si dizajner bizhuterish.
Një propozim romantik në plazh
Në pamjet e publikuara, Palmer shfaqet duke u ulur në gjunjë brenda një zemre të krijuar në rërë dhe të zbukuruar me lule të kuqe. Ambrosio e shoqëroi njoftimin me një deklaratë dashurie, duke treguar se do ta zgjidhte partnerin e saj “në këtë jetë dhe në çdo jetë tjetër”.
Ambrosio, 45 vjeçe, dhe Palmer, 44 vjeç, e konfirmuan publikisht lidhjen e tyre në fund të vitit 2024. Supermodelja ka qenë më parë e fejuar me biznesmenin Jamie Mazur, me të cilin ka dy fëmijë, por çifti u nda në vitin 2018.
Fejesa me Buck Palmer hap tashmë një kapitull të ri në jetën personale të ish-engjëllit të “Victoria’s Secret”, ndërsa data e martesës nuk është bërë ende publike.
