Connect with us

Rajon

10 kg dinamit në vilën e biznesmenit/ Arrestohen 8 persona, mes tyre një shqiptar

Policia greke ka arrestuar 8 persona në kuadër të hetimeve për një sulm me eksploziv ndaj një biznesmeni greko-amerikan. Dy prej të dyshuarve, një shqiptar dhe një grek, ndodhen në burg dhe dyshohet se kanë organizuar atentatin nga qelitë e tyre.

Një operacion i Policisë greke ka çuar në arrestimin e 8 personave, në kuadër të hetimeve për një atentat të dështuar ndaj një biznesmeni greko-amerikan në Lefkadë.

Ngjarja daton në janar të vitit 2026, kur autorët e dyshuar vendosën një mjet shpërthyes në vilën e biznesmenit, në zonën pranë Agiofyllit. Pajisja përmbante rreth 10 kilogramë dinamit xhelatine dhe ishte vendosur në ballkonin e pasmë të banesës.

Mjeti shpërthyes u zbulua nga kujdestari i vilës, duke parandaluar shpërthimin dhe pasojat që mund të kishte shkaktuar.

Hetimet e autoriteteve greke çuan deri në burgun e Malandrinos, ku dy prej personave të dyshuar për organizimin e sulmit ndodhen në qeli.

Bëhet fjalë për 46-vjeçarin shqiptar Mikel Selimaj, nga Vlora, dhe 31-vjeçarin grek Evstratios Nousis. Sipas hetimeve, dy të burgosurit dyshohet se u kanë dhënë urdhër gjashtë bashkëpunëtorëve jashtë burgut për të planifikuar dhe realizuar sulmin ndaj biznesmenit.

Selimaj ndodhet në burg që prej majit 2025 dhe akuzohet për vrasjen me armë zjarri të 41-vjeçarit Altin Arapaj në Rafina. Ai ka gjithashtu precedentë të mëparshëm për vepra penale që lidhen me drogën, vjedhjen dhe grabitjen.

Ndërkohë, Nousis ndodhet prej vitesh në burg për vepra të tjera penale. Sipas informacioneve të hetimit, në janar të këtij viti ai dyshohet se ka plagosur brenda burgut edhe një 46-vjeçar nga Gjirokastra, Dhimo Meci.

Gjashtë personat e arrestuar jashtë burgut akuzohen për “formim të një bande” dhe për shkelje të legjislacionit mbi armët dhe eksplozivët. Dy të burgosurit dyshohen si nxitësit dhe organizatorët e sulmit.

Biznesmeni greko-amerikan, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, ndodhej në Greqi gjatë muajve të verës. Në muajin maj, sipas informacioneve të hetimit, ai ishte bërë gjithashtu objekt i një sulmi me armë në Voula.

Advertisement