Aktualitet
10 mijë lekë në dorë/ Qytetari filmon policin duke marrë ryshfet në autostradën Tiranë–Durrës
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ me një denoncim serioz, duke akuzuar një punonjës të Policisë Rrugore për marrje ryshfeti në autostradën Tiranë–Durrës.
Sipas qytetarit, efektivi, të cilin ai e identifikon me emër, patrullon çdo ditë me motor në këtë aks dhe ndalon drejtues mjetesh. Në vend të procedurave ligjore për vendosjen e gjobave, ai pretendon se u kërkohen para në dorë, pa dokumentacion zyrtar.
Qytetari ka vënë në dispozicion të redaksisë një video, ku sipas tij, shfaqet momenti kur ai i dorëzon efektivit shumën prej 10 mijë lekësh. Ai shprehet se kjo situatë nuk është rast i izoluar, por një praktikë e përsëritur, që sipas tij ka krijuar shqetësim tek drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë çdo ditë në këtë segment rrugor.
Në mesazhin e tij, qytetari thekson se ndihet i detyruar të paguajë për të shmangur pasoja të mëtejshme, ndërsa shton se disponon edhe materiale të tjera filmike nga raste të ndryshme.
Rasti kërkon verifikim të plotë institucional. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, institucioni përgjegjës për hetimin dhe arrestimin e punonjësve të policisë kur dyshohen për shkelje të ligjit, pritet të shqyrtojë rastin dhe të ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me kompetencat ligjore.
Transparenca dhe zbatimi i ligjit janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë, ndërsa çdo pretendim për korrupsion kërkon trajtim të menjëhershëm dhe profesional nga organet kompetente.