Connect with us

Shkrime

10 PYETJE PER PROTESTUESIT E INVESTIMIT NE ZVERNEC

Nga Kreshnik Spahiu

Protesta e Zvërnecit mund të ketë 100 motive, por vetëm patriotike nuk është, sepse ajo mbështetet zyrtarisht nga Athina.

Dje po lexoja të gjitha mediat e huaja dhe ato kishin një titull të ngjashëm:

“Mijëra protestues shqiptar kundër familjes Trump”.

Po a ja vlen të protestohet kundër Donald Trump?

Pa dyshim që po. Ka 1000 arsye të jesh kundër Trump, por ju për Zvërnecin.

Në 36 vite, qeveritë shqiptare, përfshirë dhe Ramën, kanë qenë pengesë për investimet e huaja në bregdet dhe ky është investimi i parë serioz i një korporate ndërkombëtare.

A ju kujtohet si e rrahën libanezin mafia shqiptare për ta larguar nga Gjiri i Lalzit?

A ju kujtohet si e vrau mafia gjyqtarin Skerdi Konomi për pronat në bregdet?

A ju kujtohet si e përzunë me dhunë kompaninë franceze Club Med në gjirin e Kakomesë, duke paguar 30 fshatarë me kazma dhe lopata?

Sa herë shfaqet një investim i huaj në bregdet, gjithmonë ndodh një rebelim i paguar nga mafia apo shërbimet inteligjente anti-shqiptare.

Për këtë arsye kam disa pyetje për patriotët e Zvërnecit:

Pse nuk protestuat kur deti Jon ju fal 6 milje Greqisë?

Pse nuk protestuat kur Porto Romano ju shit për 1 euro Serbisë dhe serbit Damir Fazlliç?

Pse nuk protestuat kur porti i Durrësit ju shit Arabisë?

Pse nuk protestuat kur mjedisi u shkatërrua në Palasë?

Pse nuk protestuat kur investimet greke betonuan Dhërmiun dhe Drimadhën?

Pse nuk protestuat kur mafia shkatërroi gjithë shtëpitë e pushimit të kohës së Enverit?

Pse nuk protestuat kur mafia preu gjithë pishat e Gjirit të Lalzit?

Pse nuk protestuat për 200 pallatet që po ndërtohen në Qerret dhe po pritet çdo pemë?

Pse nuk protestuat për rosat e Shëngjinit apo zogjtë e Ksamilit kur bandat shqiptare ndërtuan pa kriter dhe pa leje ndërtimi?

Pse nuk protestuat për Marinën e Vlorës?

Përgjigjja është e thjeshtë:
“ata nuk ishin amerikanë si në Zvërnec.”

Protesta në shesh është shumë e bukur, vetëm sepse ajo nuk drejtohet nga Berisha, por edhe pse është në derën e qeverisë.

Edi Rama duhet larguar nga pushteti, por jo për Zvërnecin. Nëse ai do tërhiqej nga leja për investime në Zvërnec, ai do ishte tradhtar i interesave kombëtare dhe do bënte lojë anti-amerikane.

Resorti i projektuar nga Ivanka Trump dhe Kushner duhet përfunduar me çdo çmim, sepse përfitimet e Shqipërisë janë strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike.

A e keni parë bregdetin turk? 90% janë investitorë gjermanë, rusë, amerikanë, francezë etj.

A i keni parë ishujt e Greqisë dhe investimet e huaja?

A e keni parë bregun francez apo spanjoll?

85% e ishullit Mallorca është blerë nga gjermanët dhe anglezët, madje nuk flitet spanjisht?

I gjithë bregu i Mesdheut dhe turizmi janë zhvilluar nga investimet e huaja dhe jo vendase.

Injoranca shqiptare ka arritur në ato nivele sa mund t’i manipulosh duke i thënë që të gjitha tokat e Zvërnecit do merren me karrotrec dhe do transportohen në Izrael.

Fatkeqësisht, turma jo gjithmonë ka të drejtë.

Sidomos ato turma që heshtën kur bregdeti shqiptar iu shit Serbisë, Greqisë, Arabisë dhe u betonua në çdo cep nga mafia shqiptare, e cila pas çdo maune droge që shet, i pastron me hotele. Ata nuk protestuan aspak.

Lexojeni këtë analizë pas 3 muajsh, kur këta protestuesit të jenë duke notuar në plazhet me fekale dhe ujëra të zeza nga Saranda deri në Golem, dhe të kuptoni sa artificial është rebelimi i tyre në mbrojtje të zogjve të Zvërnecit.

Advertisement