Aktualitet
14 VJET “NON GRATA” NË GREQI, MARIN MEMA: E VËRTETA NUK NDALET
Më 19 gusht 2012, gazetarit Marin Mema iu ndalua hyrja në Greqi, ndërsa sipas asaj që ai ka deklaruar ndër vite, autoritetet greke e kishin klasifikuar si person që përbënte “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Sot, më 19 gusht 2026, plot 14 vite më pas, Mema rikthen historinë e atij vendimi dhe rrugëtimin që, sipas tij, e çoi deri te shpallja “Non Grata”.
Gazetari tregon se puna e tij mbi çështjet shqiptaro-greke kishte nisur shumë vite më parë. Që prej vitit 2004, ai kishte realizuar reportazhe dhe dokumentarë mbi Çamërinë, shqiptarët e mbetur në territorin grek, gjuhën, traditat dhe gjurmët historike të tyre.
Mema kujton udhëtimet në Margëlliç, Filat, Gumanicë, Bellkamen, Follorinë dhe Negovan, ku thotë se në disa raste është ndaluar dhe mbajtur për orë të tëra nga policia greke.
Në vitin 2007, pas kërkimeve në arkiva, ai publikoi materiale mbi atë që e konsideronte veprimtari të agjenturës greke në Shqipëri gjatë dekadave të shkuara, ndërsa trajtoi edhe Masakrën e Peshkëpisë, varrezat greke dhe negociatat për marrëveshjen detare mes dy vendeve.
Një nga udhëtimet që Mema veçon është ai në Negovan, së bashku me profesorin e ndjerë Perikli Jorgoni dhe aktivisten Elida Jorgoni, ku u realizuan dokumentime mbi Papa Kristo Negovanin dhe shqiptarët e vjetër të asaj zone.
“Fakte e vetëm fakte!”, shkruan Mema.
Sipas tij, e gjithë kjo veprimtari kishte alarmuar autoritetet greke.
Më 19 gusht 2012, teksa po udhëtonte përsëri drejt Greqisë, në kufi iu komunikua vendimi që i ndalonte hyrjen.
“Zyrtarisht isha konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare në Greqi. E kuptoni sa i rrezikshëm u klasifikova miq? Kjo sepse dëshmoja të vërtetën!”, shkruan gazetari.
Mema pretendon se më pas kanë vijuar sulmet ndaj tij nga media dhe qarqe ekstremiste greke, si edhe kërcënime. Ai kujton gjithashtu se edhe Perikli Jorgoni dhe Elida Jorgoni ishin shpallur “Non Grata”.
Por sipas gazetarit, vendimi nuk e ndali punën e tij.
“Menduan se do të ndalesha… Por kjo nuk ndodhi!”
Ai thotë se pas vitit 2012 ka vijuar dokumentimin në Çamëri dhe në zona të tjera, duke përmendur Prevezën, Paramithinë, Pargën, Sulin, Konicën, Kosturin dhe dhjetëra vendbanime të tjera.
Në qendër të materialeve të tij kanë qenë gjurmët shqiptare, ruajtja e gjuhës, shtëpitë, varret, dokumentet historike dhe historitë e popullsive që, sipas Memës, vazhdojnë të dëshmojnë një trashëgimi shqiptare në këto zona.
14 vite pas vendimit që e shpalli të padëshiruar në Greqi, Marin Mema përcjell të njëjtin mesazh:
“Nuk ka ‘Non Grata’ që na ndal. Kur je me të drejtën e Kombit tënd, nuk ndalesh, sepse është mision. E vërteta nuk ndalet!”