Connect with us

Bota

15 vjeç në krah të bosit të kartelit/ Vritet me xhaxhain, SHBA kishte vënë 3 mln $ për “r5”

Vetëm 15 vjeç, por tashmë pjesë e rrethit të armatosur të një prej njerëzve më të kërkuar të krimit në Meksikë.

Një operacion i forcave meksikane në Michoacán përfundoi me vdekjen e Luis Enrique Barragán Chávez, i njohur si “R5” ose “El Güicho”, drejtues i lidhur me Cártel de Los Reyes, si edhe të nipit të tij 15-vjeçar, i njohur me pseudonimin “Chuchito Nini”.

Për Barragán Chávez, autoritetet amerikane kishin shpallur një shpërblim deri në 3 milionë dollarë për informacion që do të çonte në arrestimin ose dënimin e tij. Ai ishte akuzuar në SHBA për vepra të lidhura me trafikun e drogës dhe armët dhe konsiderohej një nga figurat e rëndësishme të strukturës kriminale Cárteles Unidos.

Por vëmendjen më të madhe po e merr historia e 15-vjeçarit.

Sipas raportimeve nga mediat meksikane, “Chuchito Nini” ishte pjesë e eskortës së xhaxhait të tij dhe lëvizte brenda rrethit të ngushtë të sigurisë së kartelit. Raportime të tjera e lidhin atë edhe me rekrutimin e të miturve përmes rrjeteve sociale.

Në profile që i atribuohen adoleshentit janë publikuar fotografi ku ai shfaqej me veshje taktike dhe armë të rënda — një kontrast brutal me fotografitë e mëparshme ku shfaqej si një fëmijë i zakonshëm i apasionuar pas futbollit.

Operacioni u zhvillua në zonën e Tocumbo, Michoacán, pasi forcat e sigurisë morën informacion për vendndodhjen e “R5”. Sipas autoriteteve meksikane, personat në zonë hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë dhe gjatë përplasjes mbetën të vrarë Barragán Chávez dhe shoqëruesi i tij 15-vjeçar.

Rasti ka rikthyer në qendër të debatit një nga fenomenet më të errëta të karteleve meksikane: futjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në strukturat kriminale, jo vetëm si korrierë apo vrojtues, por edhe si roje të armatosura dhe rekrutues të brezit të ardhshëm.

Në vetëm 15 vite jetë, “Chuchito Nini” kishte kaluar nga fotot me futboll te armët automatike. Fundi erdhi përkrah xhaxhait të tij, një bos karteli për të cilin Uashingtoni kishte vënë 3 milionë dollarë shpërblim.

 

Advertisement