Aktualitet
MES ZJARREVE E FLAKEVE, ZJARRFIKESIT NE BETEJE
25 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet për shuarjen e flakëve po vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore.
Në terren janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura po operojnë aktualisht 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Një nga zonat ku vijon ndërhyrja është Dajti, ku forcat e MZSH-së dhe ADZM-së po mbështeten edhe nga një helikopter i Forcës Ajrore. Në Priskë të Madhe po operojnë katër automjete zjarrfikëse me 15 efektivë. Në të dyja zonat, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për banesat.
Në Drenie të Patosit, pas riaktivizimit të zjarrit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan shtatë automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca policore e pyjore dhe vullnetarë, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”. Operacioni vijon edhe sot me 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Krujë, Përmet dhe Devoll
Në Krujë vijojnë operacionet në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë-Halil. Në Abaze pritet ndërhyrja e 58 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterëve, ndërsa në Krastë-Halil kanë operuar 58 ushtarakë me gjashtë mjete, në bashkëpunim me forcat e ADZM-së dhe strukturat vendore. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Një tjetër vatër aktive ndodhet në malin e Moravës, në bashkinë Devoll, në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse të Devollit dhe Korçës, së bashku me shërbimin pyjor. Edhe këtu nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata më e vështirë në Gurë-Lurë
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, ku zjarri vijon të jetë aktiv dhe ndodhet pranë disa banesave.
Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse, strukturat bashkiake e pyjore, ADZM-ja, vullnetarë, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Për shkak të afërsisë së flakëve me banesat, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre me qëllim mbrojtjen e komunitetit dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet do të vijojnë me kapacitete të shtuara nga toka dhe ajri, me fokus mbrojtjen e banorëve, izolimin e vatrave dhe shuarjen e plotë të zjarreve aktive.