Bota
3 tankerë iranianë goditen/ Irani sulmon luft-anijet, SHBA godit flotën e naftës
Përshkallëzohet ndjeshëm përplasja ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, këtë herë duke goditur drejtpërdrejt flotën që transporton naftën iraniane.
Komanda Qendrore Amerikane, CENTCOM, konfirmoi më 5 shtator se forcat amerikane goditën tre tankerë iranianë të naftës, pasi Garda Revolucionare Iraniane lëshoi raketa balistike drejt dy anijeve luftarake të Marinës amerikane që patrullonin në rajon.
Sipas CENTCOM, një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një shkatërrues me raketa të drejtuara arritën t’u shmangeshin sulmeve iraniane. Asnjë pjesëtar amerikan nuk u lëndua.
Përgjigjja e SHBA-së ishte e menjëhershme.
Tankeri M/T Downy, pranë ishullit Kharg, dhe M/T Stark 1, pranë Jaskut, u nxorën sipas CENTCOM-it përfundimisht jashtë funksionit.
Tankeri i tretë, M/T Kylo, i njohur gjithashtu si “Noxen”, u godit në disa pika kritike në Gjirin e Omanit dhe u shkatërrua, pasi ekuipazhit iu kërkua të braktiste anijen.
Uashingtoni pretendon se tre anijet ishin pjesë e një rrjeti miliarda dollarësh që financon Gardën Revolucionare Iraniane dhe grupet e lidhura me të në rajon.
Komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, paralajmëroi se SHBA do të vazhdojë të mbrojë forcat e saj dhe, nëse e konsideron të nevojshme, mund të godasë më tej flotën iraniane të naftës.
Associated Press konfirmon se një tanker është shkatërruar dhe dy të tjerë janë çaktivizuar, ndërsa një prej goditjeve ndodhi pranë ishullit Kharg, zona nga ku kalon pjesa më e madhe e eksporteve iraniane të naftës.
Përplasja e fundit e zhvendos konfliktin gjithnjë e më shumë drejt naftës dhe rrugëve strategjike të transportit në Gjirin Persik, duke rritur shqetësimin për sigurinë e lundrimit dhe furnizimet globale me energji.
Tre tankerë kundrejt dy anijeve luftarake: përplasja SHBA–Iran po kalon në një fazë të re dhe çmimi i saj mund të mos mbetet vetëm ushtarak.