Shkrime
36 vite, një komedi politike/ Murrizi: Rama-Berisha luftën e bëjnë sa për sy e faqe
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka publikuar një reagim me tone të ashpra ndaj klasës politike, sistemit të drejtësisë dhe mënyrës se si është qeverisur Shqipëria gjatë 36 viteve të fundit.
Duke iu referuar periudhës pas rënies së komunizmit, Murrizi pretendon se politika shqiptare ka vijuar të ndikohet nga persona me të kaluar në regjimin komunist dhe se përplasjet mes partive kanë qenë shpesh vetëm fasadë.
“Prej 36 vjetësh bëjnë sikur luftojnë me njëri-tjetrin, por në fakt janë së bashku në çdo hajdutllëk, pisllëk e maskarallëk që ka ndodhur në Shqipëri”, shprehet ai.
Murrizi rikthen në vëmendje edhe deklaratat e tij në Kuvend gjatë viteve 2019–2021, ku pretendon se ka denoncuar praninë e ish-funksionarëve të regjimit komunist, ish-hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në politikë dhe institucione.
Kritika të forta ai adreson edhe ndaj rolit të misioneve ndërkombëtare që kanë asistuar reformën në drejtësi, duke përmendur OPDAT dhe EURALIUS. Sipas Murrizit, këto struktura kanë mbështetur persona që, sipas tij, kanë lidhje me sistemin e vjetër.
Pretendimet e tij nuk shoqërohen në këtë reagim me prova të reja, ndërsa ai i paraqet si një prej shkaqeve kryesore të krizës që, sipas tij, po përjeton shoqëria shqiptare.
Në fund, Murrizi e lidh këtë situatë me protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit, duke iu referuar sloganeve “Ju erdhi fundi” dhe “Nuk na përfaqësoni”.
Sipas tij, këto protesta shprehin një kërkesë për ndryshim të thellë politik, demokraci dhe përfaqësim të ri.
“Kjo është plaga e vërtetë e shoqërisë shqiptare”, përfundon Murrizi, duke e përshkruar sistemin aktual si një strukturë që, sipas tij, ka dështuar të shkëputet plotësisht nga e kaluara.
E plote ketu…
Kush ka durim të shohë e të dëgjojë këtë video, rreth 4 minuta, ku ua kam thënë në sy, në Parlament, në vitet 2019-2021, se fatkeqësisht ky vend prej 36 vitesh është qeverisur nga ish-komunistët, ish-hetues, prokurorë e gjyqtarë të regjimit dhe ish-spiunët e Sigurimit.
Dhe me ndihmën e disa qelbësirave ndërkombëtare, që për interesa të veta personale kanë mbështetur fëlliqësirat e këtij vendi në politikë e drejtësi.
Akoma zagarë të OPDAT-it dhe EURALIUS-it, pranë “mender drejtësisë së re”, marrin informacione dhe rekomandime nga fundërrinat e regjimit komunist për të promovuar në kupolën e kësaj “mender drejtësie” plehrat që ka pasur sistemi i drejtësisë në 40 vite.
Kjo është plaga e vërtetë e shoqërisë shqiptare, që me të drejtë protestuesit, në 80 ditë protestë, me parullat e tyre “Ju erdhi fundi” dhe “Nuk na përfaqësoni”, kërkojnë revolucion, demokraci dhe përfaqësim.