Connect with us

Aktualitet

Tre engjëjt u shuan në flakët në Florida, familja shqiptare hap dyert e mortit

Familja Manati ka hapur dyert e mortit, mes dhimbjes së pakufishme për humbjen e tre fëmijëve, ndërsa lutjet vijojnë për shëndetin e prindërve dhe fëmijës së mbijetuar, të cilët ndodhen në gjendje kritike pas zjarrit tragjik që përfshiu banesën e tyre në Jacksonville të Floridës.

Vetëm pak minuta mjaftuan që një mëngjes i zakonshëm të kthehej në një tragjedi të rëndë për familjen shqiptare me origjinë nga Lushnja. Tre fëmijë humbën jetën pasi banesa e familjes u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të 26 gushtit.

Viktimat janë dy binjakë 11-vjeçarë dhe një fëmijë vetëm 2 vjeç. Ndërkohë, prindërit dhe dy fëmijë të tjerë, një foshnjë 2-muajshe dhe një 9-vjeçar, arritën të mbijetonin, por ndodhen të shtruar në spital, në gjendje kritike.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Ëindergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, në zonën Mandarin të Jacksonville. Alarmi për zjarrin u dha rreth orës 05:13 të mëngjesit, ndërsa ekipet zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje vetëm katër minuta më vonë.

Zjarrfikësit u përballën me flakë të mëdha në katin e parë dhe tym të dendur në katin e dytë të banesës. Sipas autoriteteve, dy të rritur dhe dy fëmijë kishin mundur të dilnin nga shtëpia përpara mbërritjes së ekipeve të emergjencës.

Një dëshmitar ka treguar se një foshnjë dhe një i rritur u hodhën nga dritarja e katit të dytë, ndërsa persona që ndodheshin jashtë u përpoqën t’i kapnin dhe t’i shpëtonin.

Por brenda banesës kishin mbetur edhe tre fëmijë të tjerë. Gjatë kontrolleve në shtëpi, zjarrfikësit i gjetën pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:38.

Zjarri shkatërroi plotësisht banesën e familjes Manati dhe shkaktoi dëme edhe në dy banesa të tjera pranë saj. Për familjen shqiptare, pasojat e kësaj tragjedie janë të pallogaritshme, tre fëmijë të humbur, një shtëpi e shkatërruar dhe prindërit dhe dy fëmijët e tjerë që vijojnë të luftojnë për jetën në spital.

Në këto ditë të dhimbshme, familjarët dhe të afërmit kanë hapur një faqe në GoFundMe, me synimin për të mbledhur 350 mijë dollarë për familjen. (KLIKONI KETU PER TE KONTRIBOUAR)

Fondet do të përdoren për shpenzimet mjekësore të prindërve dhe fëmijëve të mbijetuar, shpenzimet e funeralit dhe ceremonive përkujtimore për tre fëmijët që humbën jetën, si dhe për nevojat e tjera që familja do të përballet në ditët dhe muajt e ardhshëm.

Tre engjëjt u shuan në flakët në Florida, familja shqiptare

Faqja ne Gofundme

Brenda pak orësh nga hapja e fushatës, është mbledhur një shumë e konsiderueshme, por familjarët vijojnë t’i bëjnë apel komunitetit shqiptar dhe kujtdo që ka mundësi të kontribuojë, pasi ende nevojitet një shumë e konsiderueshme për të arritur objektivin prej 350 mijë dollarësh.

“Babai, nëna dhe fëmiët e tyre janë aktualisht në gjendje kritike ndërsa luftojnë për jetën e tyre”, thuhet në apelin e familjes.

Në një moment kur familja po përballet me humbjen më të rëndë të mundshme, çdo ndihmë, sado e vogël, shihet si një mbështetje për të përballuar shpenzimet dhe ditët e vështira që kanë përpara.

Familjarët u janë drejtuar gjithashtu atyre që nuk kanë mundësi të dhurojnë, duke u kërkuar të paktën ta shpërndajnë apelin dhe ta mbajnë familjen në lutjet e tyre.

Advertisement