Connect with us

Aktualitet

50 euro për një nder/ Sigurohet dosja hetimore për vrasjen e Nikulajt

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulajt në Shëngjin më 19 prill, ishte një ngjarje që tronditi opinionin. Emisioni “Në Shënjestër” ka siguruar dosjen e hetimore në lidhje me ngjarjen.

Nuk ka qenë normalitet përdorimi i shtetasve të huaj për eliminimin e kundërshtarëve brenda territorit shqiptar, por vrasja e Nikulaj solli në vëmendje edhe një fenomen të tillë, ku thuajse të gjithë pjesëtarët e ekipit që organizoi vrasjen e biznesmenit, ishin me shtetësi të huaj.

Mes tyre ishte edhe Ruben Saraiva, një portugez 28-vjeçar, i apasionuar pas motorëve. Ai cili shkeli në tokën shqiptare në orën 19:26 të datës 14 shkurt 2023 dhe qarkullonte lirshëm në fshatin Kakarriq të Lezhës, zonat përreth, por edhe në Shkodër.

Saraiva u kamuflua si një turist i huaj, i apasionuar pas shëtitjeve, të paktën kështu e njihnin deri në momentin që emri i tij nisi të lakohej si vrasësi i biznesmenit dhe politikanit vendor Ardian Nikulaj, krim ky që u konsumua mesditën e datës 19 prill 2023 në lokalin në pronësi të viktimës.

Ajo që u zbulua më pas është një nga historitë më të rralla dhe intriguese se si 5 të huaj, 4 prej tyre shtetas britanikë dhe një portugez, u kontraktuan me siguri kundrejt një pagese, për të vrarë një personazh të plotfuqishëm i cili bënte ligjin në zonën e Lezhës dhe që e cilësonte vetveten si të paprekshëm.

Histori e rrallë për vetë faktin se asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që në vrasje të përmasave të tilla të përfshiheshin kaq shumë të huaj njëkohësisht.

Përfshirje e të huajve në vrasje me pagesë në Shqipëri, ishin përfolur më herët, por kurrë nuk ishte dokumentuar përfshirja e tyre të paktën në këtë masë.

Por si mbërritën këta të huaj në Shqipëri?

Si mundën ata të ishin të padukshëm dhe të mos binin në sy deri ditën që në bashkëpunim kryen vrasjen e Ardian Nikulaj, madje, të mos pikaseshin as nga vetë njerëzit e viktimës, që njihej në zonë si një i fortë i rëndësishëm lokal?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ i pari që mbërriti në Shqipëri, ishte porositësi dhe organizatori i kësaj vrasje, Edmond Haxhia, një 37 vjeçar me shtetësi britanike.

Ai kishte lindur në Lezhë, por pas hasmërisë që fisi Lekstakaj ku ishte nip kishte me Nikulajt, kish emigruar prej vitesh në Britaninë e Madhe, aty ku nuk dihet se cili ishte aktiviteti i tij i vërtetë.

Kjo hasmëri kishte lindur që në vitin e largët 1997, ndërsa si pasojë e saj ishin shkaktuar shumë viktima.
Për policinë ishte krijuar ideja ë kjo hasmëri ishte shuar, por se kjo duket se nuk rezultoi e vërtetë
për fisin Lekstakaj.

Por si mundi Edmond Haxhia të kamuflonte qëllimin e tij?

A ishte fejesa e tij, pjesë e planit për të organizuar vrasjen?

Sipas dosjes hetimore Edmond Haxhia mbërriti në Shqipëri më datë 24 Nëntor 2022.
Vetëm dy ditë më pas, më 26 Nëntor ai rezulton se u fejua me shtetasen V.D., gjë e cila konfirmohet edhe nga vetë e fejuara e tij.

Nëpërmjet dëshmisë në polici ajo tregoi detaje që ndihmuan grupin hetues, të shkojë drejt zbardhjes së vrasjes dhe mënyrës se si u organizua ardhja e të huajve në Shqipëri, të cilët më pas do të kishin rolin e vëzhguesit dhe ekzekutorit të vrasjes.

Sipas të fejuarës së Edmond Haxhias, gjithçka duket se rrodhi normalisht pas fejesës së tyre dhe si një çift i ri, të dy ata shëtitën gjatë në disa qytete të Shqipërisë.

Por përpara se të mbërrinin te rrëfimi i të fejuarës së atij që tashmë cilësohet si truri i organizimit të vrasjes së Ardian Nikulaj, grupi hetues u ndal fillimisht te pamjet filmike të lokalit ku ndodhi krimi.

Aty, ku nga verifikimi i kamerave të sigurisë në lokalin ‘Coral’, u konstatuan edhe lëvizjet e dyshimta të një turisti të huaj.

Lëvizje që duket se filluan pothuaj 1 orë e 30 minuta para konsumimit të vrasjes, ku një person i cili në dukje shfaqet i interesuar për lojën e bilardos, here pas here kthen kokën dhe kryen rolin e vëzhguesit.

“Nga ora 12:20 deri në orën 13:11, personi largohet dhe afrohet disa herë në verandën e lokalit ‘Coral’. Në orën 13:17:15, pesë minuta përpara ngjarjes, ai fiksohet duke folur shpesh dhe gjatë në telefon dhe duke konsumuar një birrë.
Në orën 13:23:19, ai ngrihet nga karrigia, merr birrën që kishte në tokë dhe largohet me vrap të lehtë nga lulishtja për në shëtitore”, thuhet në dosjen hetimore.

Këto lëvizje të pazakonta të turistit të huaj, u vunë re edhe nga kamerieri i lokalit, i cili tha për grupin hetues, se i bëri përshtypje sjellja e shtetasi britanik, por nuk i dha rëndësinë e duhur për të kuptuar qëllimin e tij.

“Në momentin e ngjarjes, unë isha i ulur pranë banakut duke folur me banakierin. Pronari Ardiani, ndodhej i ulur vetëm në tavolinë përballë banakut.
Në këtë kohë brenda lokalit u fut një person mashkull, rreth 1.85 cm i gjatë, i veshur me jelek të verdhë, me skafandër në kokë, i shëndetshëm i cili qëlloi me armë zjarri në drejtim të Ardianit, dhe më pas u largua me nxitim nga lokali.
Ditën e ngjarjes, nuk e mbaj mend saktësisht orën, në lokal hyri një shtetas i huaj, i cili komunikonte anglisht dhe porositi disa birra.
Më bëri përshtypje pasi personi në fjalë bënte lëvizje të dyshimta, duke lëvizur disa herë brenda dhe jashtë verandës së lokalit duke komunikuar në telefon dhe dukej që nuk ishte i qetë”, thuhet në dëshminë e kamerierit të lokalit.

Pak a shumë të njëjtën dëshmi dha edhe banakieri i lokalit ku ndodhi krimi, por ndryshe nga kamerieri ai dha në rrëfimin e tij për grupin hetues një detaj interesant me vlerë për zbardhjen e ngjarjes..

“Fillimisht personi që më pas qëlloi, më përshëndeti mua dhe kamerierin duke na thënë ‘si e kalut’.
Në këtë moment ne nuk e kishim shumë mendjen te ai, sepse po flisja me kamerierin.
Pasi u përshëndet me ne, personi me skafandër dhe jelek të verdhë, u afrua te tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi nxori armën nga çanta nisi të qëllojë ndaj tij”, dëshmon banakieri.
Ajo që çoi grupin hetues në identifikimin e shpejtë të ekzekutorit dhe më pas të vëzhguesve dhe organizatorit të vrasjes së Nikulaj, ishte itinerari që vrasësi, një shtetas portugez i identifikuar si Ruben Saraiva ndoqi përgjatë ditëve të fundit.

Ai kishte intensifikuar lëvizjet me motor drejt vendit të krimit, por ajo që duket se e tradhtoi ishte gjuha e përdorur gjatë furnizimit të motorit me benzinë në një nga pikat e karburantit në Lezhë.

“Nga data 17 prill deri më 19 Prill 2023 ekzekutori me karakteristikat dhe të njëjtin motor, me ngjyrë gri, me targa EPP480, fokusohet teksa lëviz fillimisht me datë 17 Prill 2023, në itinerarin Gocaj-Balldre-Lezhë-Shëngjin.

Pasi mbërrin në orën 15:48 ai parkon motorin tek parkimi i kompleksit të pallateve ‘Bardh e Blu’ që ndodhet shumë pranë lokalit të viktimës “Coral”, futet tek seksioni ‘D’, ku qëndron deri rreth orës 19:31, kohë kur largohet përsëri me të njëjtin motor në të njëjtin itinerar”, thuhet në dosjen hetimore.

Të njëjtën rrugë vrasësi kreu edhe më datë 18 prill, duke u ndalur në Shëngjin në të njëjtat vende ku kishte qëndruar edhe një ditë më parë, fare pranë lokalit ‘Coral’ në pronësi të viktimës, Ardian Nikulaj.

Kamerat e sigurisë në zonë e filmojnë duke dalë prej aty në orën 20.00 të mbrëmjes, lëvizje të cilat i kreu edhe ditën e vrasjes duke ndjekur pothuaj të njëjtin itinerar.

“Nga kqyrja në tërësi e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së objekteve që ndodhen në rrugën kryesore Gjadër-Bushat, si dhe rrugëve dytësore Gjadër-Kukël dhe Blinisht-Hajmel rezultoi se motori i drejtuar nga ekzekutori nuk kalon në asnjë prej këtyre rrugëve, ç’ka krijon bindjen se mjeti është fshehur ndërmjet zonës nga fshati Gocaj, ku është fiksuar për herë të fundit tek fabrika e Çimentos, deri në fshatin Kakarriq, ku dhe humbet gjurmët”, thuhet në dosjen hetimore.

Humbja e gjurmëve të motorit në këto tri fshatra, ngriti dyshimin te grupi hetues, se vrasësi fshihej pikërisht në këtë zonë.

Kjo edhe për faktin se asnjë kamerë tjetër nuk tregonte lëvizje të motorit jashtë këtij perimetri.

“Nga kqyrja në tërësi e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së objekteve që ndodhen në rrugën kryesore Gjadër-Bushat, si dhe rrugëve dytësore Gjadër-Kukël dhe Blinisht-Hajmel rezultoi se motori i drejtuar nga ekzekutori nuk kalon në asnjë prej këtyre rrugëve, ç’ka krijon bindjen se mjeti është fshehur ndërmjet zonës nga fshati Gocaj, ku është fiksuar për herë të fundit tek fabrika e Çimentos, deri në fshatin Kakarriq, ku dhe humbet gjurmët”, thuhet në dosjen hetimore.

Ajo që e bindi edhe më shumë grupin hetues mbi atë që quhet lidhja e bashkëpunëtorëve me njëri-tjetrin, ishte sinkronizimi në dukje i lëvizjeve të vëzhguesit, me atë të motoristit.

Në të njëjtin orar, ndërsa i pari ndodhej në lokalin ku do të kryhej krimi, i dyti ishte tashmë në parkingun pranë lokalit, aty ku ishte ndalur edhe në ditët përpara vrasjes.

“Ditën e ekzekutimit, personi i huaj që shfaqet në lokalin ‘Coral’ në orën 11.33, ndodhet aty pothuajse në të njëjtën kohë kur ekzekutori vjen në parkingun e pallatit, pranë vendit të krimit”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra në orën 11:37, në një kohë me katër minuta diferencë, çka dyshohet të ketë një sinkronizim të veprimeve.
I pyetur në lidhje me motoristin që u furnizua në karburantin ku ai shërbente, punonjësi u tha grupit hetues se ai iu drejtua në anglisht.

Por ndërkohë në dorë mbante një kartmonedhë 2 000 mijë lekëshe ndërsa i kërkoi që t’i mbushte motorin me ‘Ten lek’, apo dhjetë lekë në shqip.

“Ai më tha “Ten lek”, duke më zgjatur dorën që e kishte bërë grusht ku kishte një kartmonedhë të prerjes 2 000 (dymijë) lekë të reja, që ishin të zhubravitura. Aty kuptova se personi ishte shtetas i huaj, pasi edhe fjalën ‘Lek’ mezi e shqiptonte me theks të huaj, ndërsa me fjalën ‘Ten’ që është anglisht kuptova se ai donte 10 mijë lekë karburant benzinë”, ka dëshmuar punonjësi i karburantit.

Ishin këto dëshmi të kamerierit dhe të punonjësit të karburantit si edhe pamjet filmike të itinerarit apo lëvizjeve të dyshimta të një shtetasi të huaj, brenda lokalit ku ndodhi krimit, që çuan grupin hetues, në mendimin se ekzekutori kishte bashkëpunëtorë të tjerë që e kishin ndihmuar të kryente eliminimin e Ardian Nikulaj.
Në këtë mënyrë u arrit edhe tek emri i Harry Simson, shtetasi britanik i cili kryen lëvizje të pazakonta në lokalin ‘Coral’ deri në momentin, kur aty kryhet krimi.

“Nga këqyrja e pamjeve filmike fillimisht të vendit të ngjarjes lokal ‘Coral’, si dhe nga dyshimet që kishte kamerieri i lokalit tek shtetasi i huaj, u ndoq itinerari i përshkruar nga shtetasi në fjalë dhe u konstatua se më datë 11 Prill 2023, rreth orës 03.09, Harry Simson, është paraqitur tek kompleksi ‘R…’ në qytetin e Shëngjinit ku ka kërkuar një dhomë. Ky shtetas ka qëndruar në këtë hotel, nga ora 03:09 deri në orën 09:19, kohë kur ka dalë nga aty dhe pasi ka lëvizur në këmbë në drejtim të ‘Kryqëzimit të lapidarit’ ka marrë një automjet taksi me të cilën ka shkuar tek hotel ‘B…’”, thuhet në dosjen hetimore.

I pyetur nga grupi hetues në lidhje me Harry Simson, pronari i hotelit ‘B…’, pranoi se shtetasi britanik, kishte qëndruar në hotelin e tij deri më datë 19 prill 2023, ku nuk ishte i regjistruar.

Kjo pasi pagesën e bënte ditore dhe e përditësonte atë çdo ditë të qëndrimit të tij në hotel.

Ai ishte larguar nga hoteli vetëm pak minuta pasi ishte kryer vrasja e Ardian Nikulaj dhe i kishte pohuar pronarit të hotelit ku qëndronte, se po largohej pasi kishte dëgjuar krisma në lokalin ku kishte qenë duke qëndruar.

“Ditën kur ndodhi vrasja e Ardian Nikulaj, shtetasi britanik doli nga hoteli im rreth orës 09:00.
Ai u kthye i trembur në drekë dhe tha se kishte dëgjuar krisma tek një lokal ku ai kishte qenë duke pirë. Ai më kërkoi të largohej dhe t’i thërrisja një taksi”, thuhet në dëshminë e pronarit të hotelit.

Sipas grupit hetues menjëherë sapo është ngjitur në taksi, shtetasi britanik Harry Simson u nis në drejtim të Rinasit, aty ku në një nga tualetet e aeroportit mësohet se ka ndërruar edhe rrobat.

Pasi ka marrë një pamje tjetër, ai ka tentuar të kalojë pikën e kontrollit pa paraqitur mjetin e identifikimit.

“Rreth orës 15:30, shtetasi britanik Harry Simson pasi ka zbritur nga taksia, ka shkuar dhe ka ndërruar rrobat në tualet. Më vonë ka bërë check-in dhe rreth orës 21:34:48, është fokusuar nga kamerat e sigurisë tek pika e kontrollit të pasaportave, ku ka tentuar të kalojë pa i dhënë pasaportën kontrollorit të policisë kufitare, të cilët e kanë thërritur dhe i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit duke e regjistruar, gjë për të cilën nga policia kufitare është mbajtur edhe Raport- Shërbimi, konfirmuar edhe nga pamjet filmike”, shkruhet në dosjen hetimore.

Por pse grupi hetues krijoi bindjen se shtetasi britanik, Harry Simson, i cili menjëherë sapo la Shqipërinë, udhëtoi drejt Britanisë së Madhe, ishte një lidhje e Edmond Haxhias?

Cila është e shkuara e këtij shtetasi në vendin e tij dhe a ishte mbërritja e tij në Shqipëri për qëllime turizmi?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në shënjestër” ato që krijuan besimin te grupi hetues se Harry Simson ishte kontraktuar si vëzhgues nga Edmond Haxhia, për të kryer monitorimin në terren të Ardian Nikulaj, janë pamjet filmike në momentin e mbërritjes së tij në Rinas më datë 11 prill 2023.

“Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”, ora 00:56, të datës 11 prill 2023, rezulton se Harry Simson pasi ka hyrë në territorin shqiptar del vetëm nga terminali i aeroportit. Ai shikohet teksa ecën në këmbë deri në afërsi të lokal ‘Turi’, vend ku e pret një automjet veturë, e markës ‘Volkswagen’, tipi Golf-5, me ngjyrë të errët, ku rreth orës 00:57, hipën në këtë automjet dhe lëviz në drejtim të Lezhës”, thuhet në dosjen hetimore.

Në orën 01:57, ky automjet me targa AA837ZM, fiksohet nga kamerat e sigurisë së banesës së shtetasit V.Gj, në vendin e quajtur Sakë-Shëngjin, duke lëvizur në drejtim të Shëngjinit.

Siç doli më pas nga hetimi, automjeti me të cilin shtetasi britanik Harry Simson lëvizi nga Rinasi në drejtim të Lezhës, rezultoi se ishte marrë me qira nga Edmond Haxhia gati një muaj më parë, në qytetin e Shkodrës.

“Më datë 16 mars 2023 më ka marrë në telefon një numër i huaj dhe ka kërkuar të merrte një automjet me qira.
Personi erdhi po atë ditë dhe më dha një leje britanike drejtimi automjeti me emrin Edmond Haxhia.

Unë i bëra foto me telefon dokumentit dhe i dhashë Edmondit automjetin Volkswagen Golf 5 me targa AA837ZM. Ai e mori automjetin me datë 16 mars 2023 dhe më datë 21 prill 2023, makinën ma solli një djalë rreth 25 vjeç. i cili më tha se ishte shok i Edmondit”, rrëfen pronari i mjetit.

Sipas policisë, personi që e ktheu makinën me qira, aty ku e kishte marrë, në Shkodër, nuk ishte Edmond Haxhia, por shtetasi O.C, të cilit makinën ia dha në Tiranë, e fejuara e Edmondit.

“Më datë 21 prill 2023, pas mesnate, rreth orës orës 02:30, më ka marrë në WhatsApp, një shoku im që quhet K.N, nga Velipoja, por që ndodhej në Itali dhe më tha: “A mundesh të më bësh një nder si shok’.
Unë i thashë ‘Po’.
Ai më kërkoi që të shkoja në Tiranë për të marrë një automjet dhe më dërgoi numrin e telefonit, të kushërirës së tij që quhej Valbona.
Pasi erdha në Tiranë me një shokun tim, unë u takova me të fejuarën e tij në sheshin ‘Skënderbej’.
Ajo më tha se makina që duhet të çoja në Shkodër ndodhej te parkingu nëntokësor tek hotel ‘Internacional’.
Ajo më dha për këtë shërbim 50 euro dhe pasi u përshëndeta me të, mjetin tip ‘Volkswagen’ e kam çuar drejt Shkodrës.
Por fillimisht e kam larë në një lavazh në Tiranë, siç më porositi ajo. Pasi kam shkuar në shtëpi, shoku im K. më dërgoi numrin e personit që kishte marrë makinën me qira, i cili quhej Mondi, ku i kam shkruar në WhatsApp, duke i thënë: ‘Ta kam çuar makinën në Shkodër, e ke në rregull”. Pas kësaj nuk ka komunikuar më me asnjërin prej tyre”, thuhet në dëshminë e personit që ka kryer dorëzimin e makinës.

Marrë nga Balkanweb

Aktualitet

15 vite jashtë drejtësisë/ Alfred Balla: Vendim i turpshëm i KPA, i drejtohem Strasburgut

Alferd Balla ka reaguar pasi KPA e përjashtoi për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Ai e konsideron një vendim të turpshëm vendimin e KPA, pasi sipas tij vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun e tij si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.

Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj. Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…”, thuhet në reagimin e Alfred Ballës.

Continue Reading

Aktualitet

Operacioni i SPAK/ Abilekaj: Kokat e krimit u larguan, në përgjime del emri i deputetit të PS-së

Gazetari Enton Abilekaj ka deklaruar se operacioni i SPAK me 50 urdhër arreste mund të jetë dekonspiruar, pasi sipas tij, kokat e krimit janë larguar nga vendi.

Abilekaj është shprehur se në përgjime është ish kryetari i PS Lezhë ka poseduar në banesë qindra kilogramë drogë dhe bandat e trafikut ja kanë marrë atij drogën.

Diskutimi mbi suksesin e operacionit është komplekse pasi nuk janë arrestuar të gjithë personat, por duhet përshëndetur operacioni pasi është i pari që godet njëherazi të gjitha bandat kriminale në vend.

Duket sikur operacioni i dekonspirua dhe ata që janë kokat e organizatave kriminale janë larguar në rrethana misterioze. Diçka ka ndodhur që nuk kanë arritur të kapen. SPAK me një urdhër ka ndaluar publikimin e dosjes ku në 240 faqe ka disa biseda të zbardhur nga SPAK tregojnë që këto fletë arreste janë të pamjaftueshme.

Në përgjime është ish kryetari i PS Lezhë ka poseduar në banesë qindra kilogramë drogë dhe bandat e trafikut ja kanë marrë atij drogën.

Ne akoma nuk kemi një fletë arresti për këto fakte dhe në parlament nuk kemi parë një kërkesë për imunitetin e deputetit Ndreca sot kur në atë kohë ishte kreu i PS në Lezhë. Kemi tre deputetë të përfshirë në këtë çështje ku janë Rrajat, Ndoka dhe Ndreca.

Ne atë dosje edhe pse flasim për vitin 2021 nuk ka asnjë çështje për zgjedhjet pasi ishte vit zgjedhor por në dosje nuk ka asnjë fjalë që flet për votat. Rama i është drejtuar Ervis Martinaj në një miting në Kurbin“, tha Abilekaj.

Continue Reading

Aktualitet

Vendimi i KPA/ Ja detaji që çoi në largimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 21 maj vendimin për procesin e vetingut ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Alfred Balla. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit.

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Pakica e trupës së KPK vlerësoi se Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar

Komisioneri Ballhysa iu drejtua Kolegjit me ankim, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar për kreun e KLP. Komisioneri argumentoi se Balla i plotësonte kushtet për subjekt rivlerësimi dhe se ai vetë kishte deklaratën e pasurisë, atë në funksion të figurës, si dhe tre akte ligjore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kontrollin e profesionalizmit.

Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit, Ballhysa vlerësoi se, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit, në momentin kur fillonte procedura e vetingut duhet të mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën Kushtetuta dhe ligji i cilësonte si subjekte të tilla.

 

 

Komisioneri nuk e gjeti të drejtë arsyetimin e KPK se Balla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij. sipas Ballhysës, subjekti në vitin 2018 kishte kërkuar në KPK ndërprerjen e veinggut dhe njëherazi kishte kundërshtuar në gjykatë lirimin e tij nga detyra si ndihmës ligjor.

Po ashtu, kërkesën për njohjen e statusit si ndihmës jo magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, Balla e ka adresuar dhe pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, që me vendimin të dhjetorit të vitit 2020 e ka pezulluar së shqyrtuari për shkak të padisë së ngritur në juridiksionin gjyqësor.

Këto argumente të Komisionerit u renditën edhe nga kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama, e cila u shpreh ndër të tjera se urdhëri i lirimit nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe ishte absolutisht i pavlefshëm dhe si i tillë nuk kishte sjellë asnjë pasojë juridike, duke u konsideruar se nuk ekzistonte. Për pasojë, është vlerësuar se Balla nuk e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor për shkak të këtij urdhëri.

Nga ana tjetër, Kolegji vlerëson se subjekti e ka humbur statusin për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tij, pasi nuk ka kontestuar këtë urdhër në rrugë ligjore dhe ka shfaqur vullnetin për t’u zgjedhur anëtar në një organ tjetër kushtetues. Kjo sjellje e subjektit është vlerësuar nga KPA si shkaku kryesor për përfundimin e marrëdhënies së tij të punës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Po ashtu, është vlerësuar se përmbush kushtet për t’u vlerësuar si dorëheqje nga detyra, sipas përcaktimeve të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se dorëheqja nga detyra shoqërohet dhe me sanksionin që i ndalon riemërimin në disa funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Sipas KPA, subjekti ka përfunduar marrdhënien e punësimit si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë për shkak të vullnetit të tij, si dhe ka kërkuar të mos i nënshtrohet procesit të rivlerësimi edhe ndërsa ai vetë ka menduar se e gëzonte statusin e këshilltarit ligjor dhe ka hequr dorë nga këto të drejta. Pëfundimisht, trupi gjykues i Kolegjit, me shumicë votash ka vendosur ndryshimin e vendimarrjes së KPK, duke deklaruar edhe humbjen e së drejtës së Alfred Ballës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /Reporter.al/

Continue Reading

Aktualitet

Tentativë për të korruptuar gjyqtarët e Apelit të Korçës, GJKKO merr vendimin për Blerand Kozicin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e Blerand Kozicit. Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” ose “Detyrim paraqitje”.

Blerand Kozii është arrestuar për transport të paligjshëm të emigrantëve dhe po ashtu ka tentuar të korruptonte gjyqtarët e Apelit të Korçës.

NJOFTIM PËR MEDIAT:

Kërkuesi Blerand Kozicimë datën 13.05.2024, Nr. 280 Regj.Themeltar,ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arresti në shtëpi” apo “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 237 dhe 234 i K.Pr.Penale.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 280, datë 20.05.2024 u vendos:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Blerand Kozici. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, afat i cili do të fillojë nga dita e njoftimit të vendimit.

Tiranë, me datë 20.05.2024.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Continue Reading

Aktualitet

Dekonspirimi i operacionit të SPAK/ Rrumbullaku justifikohet: 11 na ikën jashtë!

Pasi në media është përfolur se operacioni i SPAK me 50 urdhërarreste është dekonspiruar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, ka reaguar edhe drejtori i Policisw sw Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

Përmes një reagimi për mediat, Rrumbullaku thekson se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO.

Kjo sipas policisë tregon se nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit. Sa u takon personave që nuk janë arrestuar, policia sqaron se 15 rezultojnë jashtë vendit, ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Reagim:

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Ogranizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.

-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas.

-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.

-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.

-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas  që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.

-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING