Kosova
80 VOTAT NË THIKË/ Osmani i bën apel Haradinajt: Ti e ke ne dore zgjedhjen e presidentit
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e ish-kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj, në përpjekjet për sigurimin e 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e kandidatit të përbashkët të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për president të ri, Bekim Sejdiu.
Osmani tha se Haradinaj ka dëshmuar ndër vite një qasje që ajo e cilësoi si “logjikë shtetformuese”, veçanërisht në çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara.
“Nga përvoja ime me zotin Haradinaj, në çështje të interesit nacional, sidomos sa i përket aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe çështjeve të sigurisë kombëtare, gjithmonë ka dëshmuar logjikë shtetformuese”, deklaroi Osmani.
Ajo konfirmoi se ka diskutuar edhe për kushtet e vendosura nga Aleanca në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se këto kërkesa duhet të merren seriozisht nga Vetëvendosje.
Mes tyre, Osmani veçoi projektin e gazit amerikan, për të cilin tha se ka qenë edhe një prej kërkesave të saj.
Sipas Osmanit, Haradinaj mund të luajë një rol në tejkalimin e ngërçit politik, duke u bazuar në përvojën e tij dhe në qëndrimin që ka mbajtur në momente të rëndësishme për vendin.
“Duke marrë parasysh përvojën e zotit Haradinaj në vendosjen e interesit shtetëror në momente të tilla të rënda për Republikën, unë dua ta mbaj një dozë shprese se ekziston një hapësirë diskutimi me Aleancën”, tha ajo.
Deklaratat e Osmanit vijnë në një moment kritik për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. LVV dhe LDK nuk i kanë ende 80 votat e nevojshme, ndërsa shtatë deputetët e Aleancës mund të bëhen vendimtarë për sigurimin e shumicës së kërkuar dhe shmangien e një tjetër krize institucionale.