Connect with us

Kronike

Kontrabanduan 80.000 litra naftë, arrestohet kapiteni…

Dy nga tre personat e shpallur në kërkim për naftën kontrabandë në Portin e Durrësit më 23 korrik janë arrestuar sot nga policia. Policia e Durrësit ka arrestuar kapitenin e anijes dhe mekanikun e peshkarexhës të cilët kishin kontrabanduar 80.000 litra naftë më 23 korrik.

Në kërkim vijon të jetë Alban Malindi, administratori i peshkarexhës.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Diesel”, i zhvilluar 2 javë më parë, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës.

Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës, që kishin përshtatur një depozitë në peshkarexhë, për mbajtjen e rreth 80.000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Si rezultat i këtij operacioni u shpallën në kërkim 3 shtetas, si dhe u sekuestrua peshkarexha me rreth 80.000 litra naftë të kontrabanduar.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore, si dhe si rezultat i punës profesionale policore, në kuadër të operacionit “Diesel”, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe vënien në pranga të shtetasve:

– Flamur Aliu, 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarëxhës dhe Nuri Xheka, 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës.

Nga veprimet hetimore të kryera, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, Policinë Kufitare, Degën Doganore Durrës, Antikontrabandën Detare dhe FSPD Port Durrës, rezultoi se këta 2 shtetas, së bashku me shtetasin në kërkim A. M. (administrator i peshkarexhës), kishin dalë në det, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, me qëllim marrjen e një sasie prej rreth 80.000 litrash naftë dhe futjen e saj kontrabandë.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën të përshtatur një depozitë në peshkarexhën e këtyre shtetasve, për mbajtjen e naftës së kontrabanduar. Peshkarexha, së bashku me sasinë e naftës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Advertisement