Connect with us

Politike

Edhe ti Brut…Tradhëtohet nga bashkëpunëtorët…

TIRANË– Deputeti i Partisë Demokratike, ashtu siç e raportoi NTV.AL një ditë më parë, ka mbledhur në një darkë 20 ligjvënës të Partisë Demokratike me qëllim rikonfirmimin e Enkelejd Alibeajt si kryetar të grupit parlamentar. Burime për NTV.AL  tregojnë një ditë pas darkës se Gështenja, kishte kontaktuar 34 deputetë për t’u bërë pjesë e takimit, por në mbledhje morën pjesë fizikisht 20 ligjvënës.

Por, siç bëjnë me dije burimet, 8 të tjerë kishin konfirmuar përmes aplikacionit të “Whatsapp”se mund të konsiderohen pjesë e mbledhjes, por për shkak se ishin jashtë vendit, nuk mund të paraqiteshin fizikisht. Surpriza në këtë takim ishte pjesëmarrja e disa deputetëve që deri më sot nuk kishin marrë pjesë në mbledhje si Flutura Açka, Agron Gjekmarkaj apo Helidon Bushati.

Pika e parë e diskutimit ishte rikonfirmimi i Alibeajt si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Dosja.al mëson se ka qenë deputeti Gazment Bardhi që i ka kërkuar kolegëve që të shprehen për konfirmimin e Enkelejd Alibeajt në krye të grupit dhe se atij i duhet dhënë i gjithë autoriteti për përfaqësimim e grupit parlamentar.

20 të pranishmit dhe 8 të tjerët kanë konfirmuar mbështetjen për Alibeajn si kryetar grupi. Në sesionin e ri pritet të ketë edhe ndryshime sa i përket përbërjes së deputetëve në komisione. NTV.AL mëson se në mbledhjen e djeshme është diskutuar pakënaqësia që deputetët kanë pasur me Sorina Kotin, deputeten e Korçës, e cila është nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, e cila që prej fillimit është pozicionuar në krah të Berishës. Gjithashtu, burimet bëjnë me dije se është marrë në konsideratë zëvendësimi i saj në postin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë. Ajo është akuzuar gjatë mbledhjes se nuk informon deputetët për zhvillimet në Komision.

Deputetja Flutura Açka dhe Ferdinat Xhaferaj kanë kërkuar dhe përfshirjen e ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Ata janë shprehur se Lulzim Basha është i mirëpritur në grupin e tyre për të dhënë kontributin.

“ Bashën e kemi koleg. Ai ka një kontribut dhe si koleg, si deputet mund të ketë një kontribut në grupin tonë si deputet. Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim nga prezenca e z. Basha. Eksperienca e tij është e nevojshme për grupin parlamentar”, mësohet të ketë thënë Flutura Açka.

“Unë kam kërkuar që të japë dorëheqjen, por ai është i domosdoshëm për opozitën dhe këtë grup. Duhet ftuar të marrë pjesë në grup mbledhje për të kontribuar. Ne duhet të fillojmë me një sjellje tjetër me një qëndrim serioz në strategjinë. Mund të delegojmë një kryesi të vogël,”- ka thënë Xhaferraj.

Në takimin e djeshëm, edhe pse ishin ftuar, nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen vetëm 7 deputetë Tomor Alizoti, Grida Duma, Ervin Salianji, Zef Hila, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj dhe Xhelal Mziu. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka emëruar si kryetar të grupit parlamentar Luçiano Boçin.

Advertisement