Aktualitet
Trondit “ARUBA”, SPAK sekuestron dosje, Berisha nxjerr tre emrat e zyrtarëve
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, kanë intesifikuar hetimet në lidhje me dosjen ARUBA. Gjatë dy ditëve të fundit, me vendim të Gjykatës janë ushtruar kontrolle pranë Këshillit Kombëtar të Territorit, ku janë sekuestruar dhjetëra dosje.
Dosjet e sekuestruara lidhen me kompanitë e përfshira në këtë hetim, si dhe me lejet e marra për ndërtimin e kullave, resorteve dhe investimeve strategjike. Aktualisht, në hetim janë gjashtë kompani, të dyshuara për pastrim parash me burim nga narkotrafiku. Praktikat e sekuestruara lidhen me ndërtime në bregdetin e Shqipërisë, në zonën e Palasës, Gjirin e Lalzit, Vlorë, si edhe në kryeqytet.
Gjatë muajit Qershor, SPAK lëshoi masa sigurie për një sërë biznesmenësh, që dyshohet se pastronin paratë e trafikut të drogës nga Amerika Latine, përmes ndërtimeve në Shqipëri. Goditja u krye pas informacioneve të marra nga disa vende evropiane, kryesisht Anglia, Spanja apo Belgjika. SPAK goditi grupet kriminale të drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, që mbytën kontinentin me kokainë ndërsa miliardat i pastronin në Shqipëri në bashkëpunim me Artur Shehun, Ilir Shtufi, Orges Birçajn apo Orest Sotën.
Në vendimin voluminoz, të Gjykatës sës Posaçme, dosja niste me takimet e dokumentuara të bosëve të drogës në vende si Antverp Belgjikë, Majorka Spanjë apo edhe në më të famshmin prej të gjithevë, ‘samiti’ në ishullin e Arubas në antilet holandeze.
Në takimet, të cilat janë zhvilluar në vitet 2018-2021, kryesisht sipas SPAK është biseduar në kuadër të veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, por edhe për investime në Shqipëri.
Sa i takon samitit të Arubës, ka pasur vazhdimishr akuza për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë. Sali Berisha, kreu i PD, ka konfirmuar qëndrimin e tij, se në këtë samit kanë qenë Engjëll Agaçi, asokohe numri dy i kryeministrisë, Damian Gjiknuri dhe Ergys Agasi, aktualisht i shpallur në kërkim për dosjen e AKSHI-t.
“U betua në Kushtetutë dhe jo në bible (Damian Gjiknuri), se ky është një personazh kompleks. Ky Kushtetutën e ka si një prostitutë politike Figuron Emri i Engjëll Agaçit, Ergys Agasit dhe i Damianit që thotë betohem. Por ai nuk pranoi të betohej në bibël. E dini ju atë ishullin Athos? Aty është shumë e vështirë të pranohesh. Duhet të kalosh disa filtra purifikimi shpirtëror, por ky… Unë e kam parë me sytë e mi në Athos atë dhe ndaj nuk pranoi të betohej në bibël. Unë nuk kam qenë, por unë shoh video’’ , ju tha Berisha gazetarëve dy ditë më parë në hyrje të SPAK.
Në lidhje me këtë dosje, foli dhe vetë kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve. Braho hodhi poshtë pretendimet për mosveprim të Prokurorisë së Posaçme, duke i cilësuar ato si hamendësime dhe theksoi se në SPAK të gjithë janë të barabartë para ligjit.
“Nuk dua të ndalem te çështja konkrete, sepse është në hetim, por ajo që ju garantoj është se nuk mund të ndodhë që në SPAK të ketë një provë në një dosje dhe të lihet aty në gjumë. Këto që thuhen janë hamendësime. Në momentin e mbylljes së hetimeve mund të bëjmë transparencë mbi detaje të caktuara. Për SPAK-un janë të gjithë të barabartë para ligjit”, tha kreu i Prokurorisë së Posaçme./SHEKULLI