Kronike
Stuhia në Himarë/ Humb jetën gjatë rregullimit të defektit punonjësi i OSHEE-së
Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës gjatë një ndërhyrjeje për rikthimin e energjisë elektrike në Himarë, zonë e goditur nga moti i keq dhe erërat e forta.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, teksa ekipet teknike po punonin për riparimin e defekteve të shkaktuara në rrjetin elektrik pas stuhisë që përfshiu bregdetin jugor të vendit.
Viktima është 55-vjeçari nga Elbasani Bashkim Boçi, i cili ishte dërguar në Himarë si pjesë e një grupi mbështetës për të ndihmuar ekipet lokale në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Dyshimet e para janë se punonjësi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë ndërhyrjes, por shkaku i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas ekspertizës teknike dhe hetimeve që kanë nisur autoritetet.
Policia dhe grupi hetimor kanë kryer veprimet procedurale në vendngjarje, ndërsa pritet të zbardhen përgjegjësitë dhe mënyra se si ndodhi aksidenti fatal.
Ngjarja vjen pas motit ekstrem që goditi të martën Himarën dhe disa zona të tjera të jugut të Shqipërisë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, dëmtime në infrastrukturë dhe probleme në qarkullim.
Stuhia përfshiu edhe qytetin e Sarandës, ku reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta shkaktuan dëme të shumta brenda pak minutash.
Në disa zona u rrëzuan pemë, u bllokuan akse rrugore dhe u dëmtuan biznese përgjatë shëtitores së qytetit. Një nga incidentet më të rënda u regjistrua pranë stadiumit të Sarandës, ku një pishë u rrëzua mbi tre automjete, duke shkaktuar dëme materiale.
Sipas shërbimit të Urgjencës në Sarandë, tre persona morën ndihmë mjekësore pasi u plagosën nga copëza xhami të thyera si pasojë e stuhisë. Pas trajtimit, ata janë larguar drejt banesave dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas kalimit të stuhisë, ekipet e Bashkisë së Sarandës dhe shërbimet emergjente dolën në terren për pastrimin e rrugëve, largimin e pemëve të rrëzuara dhe rikthimin e normalitetit në zonat më të prekura.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes deri në stabilizimin e plotë të kushteve atmosferike, ndërsa ekipet e OSHEE-së vijojnë punën për riparimin e dëmeve në rrjetin elektrik të shkaktuara nga moti i keq.