Kosova
Lajçak takohet me Vuçiç në Beograd
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, është takuar të hënën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Siç edhe ishte njoftuar më parë, dy bashkëbiseduesit nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë për mediat.
Lajçak mbërriti në Beograd pas takimit që zhvilloi katër ditë më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Lajçak u tha gazetarëve në Prishtinë se me kryeministrin Kurti kishte diskutuar disa tema, përfshirë atë të riregjistrimit në Kosovë të automjeteve me targa serbe. Ai ka përmendur se afati për riregjistrim skadon më 31 tetor dhe se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të dijë se cilat janë planet në këtë drejtim.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve – për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve u shty për 1 shtator. Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.