Bota
Turqia ‘flak tutje’ laicizmin
Erdogan, protektori i islamit garanton ‘Hixhabin’ në institucione
Një votë për të garantuar të drejtën e grave për të veshur mbulesë në institucionet shtetërore, shkolla dhe universitete. Është kjo lëvizja e fundit e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, partia islame e të cilit në pushtet në vitin 2013 hoqi ndalimin e mbulesës në vende të tilla.
Debati për hixhabin është ndezur së fundmi në vend, në funksion të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të planifikuara për vitin 2023, të cilat do të jenë një nga sfidat më serioze të Erdoganit.
“Për të qetësuar plotësisht zemrat e vajzave dhe motrave tona, unë propozoj lirinë e mbulesës”, tha Sulltani i Ankarasë
Nëse masa nuk miratohet nga parlamenti, presidenti turk do të planifikojë një referendum, në tekst do të ketë edhe një masë anti-LGBT që synon “forcimin e mbrojtjes së familjes”.
Erdogan gjithmonë e ka quajtur veten mbrojtës të myslimanëve kundër “elitës” laike. Megjithatë, ndryshe nga vitet 1990, kur mbajtja e shamisë shkaktoi debate të ashpra, madje edhe protesta, tani asnjë lëvizje politike nuk propozon ndalimin e saj.
Por vendimi I Erdogan mund të shkaktojë polemika ndërkombëtare, siç ka ndodhur më herët me shndërrimin e Hagia Sofisë, monument simbolik i Stambollit, nga muze në xhami, apo tërheqjen e Ankarasë nga Konventa e Stambollit kundër dhunës ndaj grave.
Tema e mbulesës është në qendër të debateve në Perëndim, ku po bëhet thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike për gratë, veçanërisht pas asaj që ndodhi në Iran me vdekjen e 22-vjeçares kurdo-iraniane, e cila vdiq tre ditë pasi u arrestua se nuk e kishte veshur siç duhet ‘hixhabin’.