Bota
VIDEO/ Polici derdh 10 plumba drejt 17-vjeçarit
Një oficer i Departamentit të Policisë në San Antonio, James Brennand, qëlloi me armë zjarri një djalë 17-vjeçar, i cili po hante diçka në makinën e tij, në një parking të McDonald’s në Teksas.
Oficeri, një efektiv me shtatë muaj përvojë, u pushua nga puna për shkelje të “taktikave, trajnimit dhe procedurave” të departamentit. Në deklaratën zyrtare, policia është shprehur se oficeri kishte dalë në terren pasi kishte marrë një telefonatë për një shqetësim në atë zonë, kur pa një makinë që ai mendonte se i ishte shmangur policisë një ditë më parë dhe bëri thirrje për mbështetje.
Por, para se të mbërrinin oficerët rezervë, videoja e kamerës së trupit, tregon se oficeri ecën në anën e shoferit të makinës, hap derën dhe urdhëron shoferin të dalë. Adoleshenti dukshëm i befasuar, i cili ishte në sediljen e shoferit duke ngrënë, ndezi makinën dhe filloi të ecte mbrapsht.
Më pas, oficeri i policisë hapi zjarr dhe qëlloi pesë herë në drejtim të adoleshentit. Teksa mjeti largohej, video e kamerës së trupit tregoi se oficeri hapi zjarr edhe pesë herë të tjera në drejtim të tij.
Adoleshenti nuk mundi të vijonte më rrugën. Ai u gjet një bllok larg me plagë të shumta. Adoleshenti u dërgua në spital.