Aktualitet
Vdekja e Learit, eksperti i kriminalistikës: Deklarata jo të besueshme
Eksperti dhe profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në një emision televiziv foli për vdekjen e të riut Lear Kurti i cili ndërroi jetë disa javë më parë pas shoqërimit në komisariatin e policisë, ndërsa së fundmi ekspertiza raportoi se ai vdiq nga mbidoza.
Sipas ekspertit Karamuço, deklaratat e institucioneve nuk kanë shumë besueshmëri, ndërsa shtoi se policia përballet me dy përgjegjësi që po hetohen nga Prokuroria, të cilat janë veprimet arbitrare si dhe mosdhënia e ndihmës në momentin që ai ka humbur ndjenjat.
“Mediat kanë nxjerrë raportin zyrtar mjeko-ligjor, toksikologjik, kur sipas tyre provohet se prania e drogës në organizëm ka sjellë ishemi dhe arrest kardiak. Nëse do t’i referohemi asaj që kemi diskutuar, kamerat që kemi parë, informacionet që na erdhi në atë kohë dhe deklaratave për shtyp të institucioneve, ka një dozë besueshmërie të ulët.
Janë të mbivendosura në disa dritë hije përfshirë këtu dhe mjekësinë ligjore sepse ka një deklaratë që nuk ka shenja dhune ndërkohë që në foto tregohet se ka një hematomë të madhe. Ai prononcim fillestar ka kompromentuar besueshmërinë e atij institucioni dhe kjo analizë nuk shkarkon policinë nga përgjegjësia e veprimeve arbitare.
Drejtuesi i AMP duhet të nxjerrë kamerat. E dyta, nëse ka një të drejtë familjare që mund ta ushtrojnë është ajo e riinspektimit. Nëse ka dyshime është e drejta e tyre. Policia nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia tjetër e mosdhënies së ndihmës.”, u shpreh Karamuço.