Kronike
11 grabitje në Greqi, arrestohen ‘skifterët’ shqiptarë
Dy emigrantë shqiptarë, të moshës 49 dhe 57 vjeç, janë arrestuar në Nea Halkidona në Atikë Greqi, pasi dyshohet se janë anëtarë të një bande kriminale që ka kryer 11 grabitje me armë në kioska dhe pika karburantesh.
Sipas ELAS-it , pak para arrestimit, të arrestuarit kanë kryer një grabitje me armë në një kioskë në zonën e Nea Jonisë dhe janë larguar me makinë.
Brenda makinës së tyre u gjetën dhe u sekuestruan shuma e parave që kishin vjedhur më herët dhe një pistoletë kopje “replica”.
Nga hetimet e policisë greke u konstatua se dy shqiptarët kanë krijuar një grup kriminal për të kryer grabitje sistematike në kioska dhe pika karburantesh.
Protothema.gr shkruan se ndaj 49-vjeçarit kishte urdhër arrest për armëmbajtje pa leje, trafikim të lëndëve narkotike dhe lëndime trupore me dashje, ndërsa 57-vjeçari në të kaluarën ka qenë sërish i akuzuar për grabitje, rrëmbim personi dhe zhvatje.
Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Penale të Athinës. Autoritete greke po punojnë për kapjen e anëtarëve të tjerë të bandës kriminale.