Aktualitet
Kush është UJKU i vërtetë i Call-Centerave
‘DOSJA-JOSIFI’/ Kush është UJKU i vërtetë i Call-Centerave, si e zgjeroi Amant Josifi rrjetin fantazmë të kompanive në Shqipëri dhe lidhja në biznes me Olsi Ramën
Një rrjet i gjerë bashkëpunëtorësh dhe mbi 15 call centera në Shqipëri. Si e nuhati Amant Josifi se ishte pikasur nga gazetarët pas hetimit të OCCRP. Pas publikimit të hetimit Amant Josifi, sot në kërkim nga autoritetet spanjolle për mashtrimin me vlerë 2.2 miliardë euro, vendosi të hapë disa Call Centera në emra të bashkëpunëtorëve të tij, por me kompani mëmë Apa Liaison, e zotëruar vetëm prej tij. Pas shitjes së aksioneve të Pegasus ku ortak ishte me vëllain e kryeministrit, Josifi i hyn më thellë biznesit. Por edhe pse mohonte përshirjen aktive në biznes për shkak të punës në ministri, e kundërta shihet qartë. Por kush i garantoi paprekshmërinë në Shqipëri? Si shmangu depozitimin e pasqyrave financiare dhe punoi i pashqetësuar për vite me radhë?
4 qershor 2020. Fiksojeni mirë këtë datë. Është momenti që shënon kthesë në jetën dhe biznesin e Amant Josifit. Biznesmeni akuzohet sot nga autoritetet spanjolle për mashtrimin e mijëra qytetarëve përmes investimeve në kriptovalutë, ku në vetëm në një rast, një të moshuare në Spanjë iu morën 800 mijë euro, nuhati se diçka ishte zbuluar. Më qershor 2020, biznesi i Call Centerave kishte marrë dhenë në Shqipëri. Edhe pse kompanitë më të mëdha italiane haseshin me problematika, nuk ndodhte e njëjta gjë me rrjetin e call centerave të njohur si “mashtrimet me bursa”. Një shkrim i OCCRP drejtoi prozhektorët e vëmendjes drejt Milton Group, ku pjesë ishte edhe Amant Josifi në një lidhje me gjeorgjianin David Todua.
Dosja.al ka vëzhguar me imtësi aktivitetin ekonomik të Josifit në Shqipëri, në një trajketore që në përpjekje për të fshehur diçka ka lënë disa pasaktësi. Nga të dhënat në regjistrin e Biznesit (QKR), shihet se në Shqipëri, Amant Josifi është aksioner kryesor në 4 kompani. Shërbimet janë nga më të ndryshmet, por ajo që merr vëmendjen është fakti se aktivitetet lidhen me fushën e menaxhimit të të dhënave apo edhe importit të mallrave bujqësorë e ushqimorë. Në asnjë moment, Amant Josifi nuk reklamon aktivitetin në fushën e Call Centerave.
Por këto biznese janë vetëm fytyra. Në një tjetër kërkim, zbuluam sesi Amant Josifi bashkë me një grup të afërt të tij ka krijuar disa kompani, një rrjet, ku objekti kryesor i punës së tyre është aktiviteti i Call Centerave.
Shoqëria mëmë e Call-Centerave në disa raste shfaqet “Apa Liaison” me administrator Arbana Bushaj. Kjo kompani është themeluar nga Amant Josifi. Bumi i punës së Amant Josifit në botën e mashtrimit online shihet se ka ndodhur pas vitit 2015. Deri në vitin 2015, kompanitë e themeluara prej tij dhe rrjetit të tij, kanë qenë në status pasiv. Nga viti 2015 e mbrapa, aktiviteti i kompanive është shtrirë nga njëra te tjera, me emra të ndryshuara, por me një faktor të pandryshuar. Dora e Amantit rezulton atje.
Sapo rrjeti e kuptonte se kishin lënë shumë gjurmë, një tjetër kompani hapej në Tiranë. Në një rast të dyshimtë, CTA Groupe, (Ish Capital Investiment Group), transferon aksionet nga të gjithë anëtarët në vitin 2017 për te Amant Josifi. Njëri prej tyre, Erindi Pysqyli, hapi në vitin 2021 një tjetër Call Center të zbuluar për mashtrim dhe jo më larg se më 9 nëntor 2022, në Vlorë, autoritetet spanjolle erdhën dhe arrestuan bashkëpunëtorin e tij, Berlando Saraçaj, edhe ky ‘ortak’ me Josifin.
Ky person, është lidhje biznesi e Amant Josifit. Erindi Pysqyli bashkë me Bora Kamberin i shitën nga 30% të aksioneve Amant Josifit dhe Xhuvane Xhabrahimit në vitin 2016 për vetëm 30 mijë lekë. Një vit më pas, Xhuvane Xhabrahimi ia shet 30% e aksioneve Ndriçim Sulës, i cili me saktësinë e një ore zviceriane, sërish pas një viti shet aksionet e tij te Amant Josifi gati 20 herë më shtrenjtë, në vlerën e 585 mijë lekëve të reja.
Këtu nis edhe transaksioni i dyshimtë. Më 30 janar 2020, një muaj pas festës në Kiev ku takoi miqtë e kriptovalutave edhe pse ishte Këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, Amant Josifi ia shiti të gjitha aksionet e kësaj kompanie shoqërisë së tij “APA – LIAISON” 5 herë më pak, për 100 mijë lekë të reja. Në kompaninë e re, ai vuri administratore Arbana Bushajn me deklarim notarial se ishte në punë pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe biznesi i ndikonte në konfliktin e interesit. Pranë APA Liaison, Josifi mbuloi kompanitë e tjera si Odyssey, “MIZU shpk”, “Ever Plus”, “CVS SHPK “ Ori Tech”, Novem Albania” etj.
Numri i Call Centerave sipas vëzhgimit tonë rezulton se është rritur pas hetimit që bëri rrjeti eurupian anti-krim “OCCPR”, dhe zbuloi aktivitetin mashtrues me këto firma “Call Center” në Shqipëri.
Këtu është edhe një tjetër kontradiktë. Vetë Amant Josifi iu tha gazetarëve të OCCRP se bizneset e tij kishin kaluar në plan të dytë për shkak të punës së tij si këshilltar i ministres së Mbrojtjes së kohës, Olta Xhaçka. “Unë jam jashtë përgjegjësive për bordin aktual të kompanisë. Unë i kam kërkuar menaxherëvë dhe ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.”
Por nëse kjo të ishte e vërtetë, atëherë pse do të duhet që Josifi të hapte 4 kompani të tjera të reja?! Deri në momentin e botimin të këtij shkrimi, ne kemi tentuar të kontaktojmë me Josifin, por të gjitha kanalet e komunikimit të tij janë të çaktivizuara.
Heshtje pason edhe nga rrjeti i bashkëpunëtorëve që nuk dihet as nëse janë ose jo në kërkim. Në Shqipëri, Amant Josifi kishte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh. Disa prej tyre, familjarë të tij, me të cilët ka hapur kompanitë e reja. Erindi Pysqyli, Berlando Saraçaj i arrestuar tashmë, Ndriçim Sula, Arbana Bushaj, Anila Toska, Suela Toska, Gjergj Rebi, Xhuvane Xhabrahimi, Anjez Josifi, Egla Picari, Albjona Kraja, Bora Kamberaj e Pietro Kuqi, janë kryesorët e kompanive ku në disa raste rezultojnë si menaxhues të 2-3 kompanive.
Këto kompani prej vitesh nuk kanë depozituar asnjë bilanc tatimor në QKB edhe pse janë të regjistruara. Ato kanë punuar në qetësi të plotë dhe të pashqetësuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit edhe pse vendodhjet e tyre janë në zonat më elitare të kryeqytetit. Kush e garantoi paprekshmërinë?
A është vërtetë Amant Josifi “Ujku” i Uall Stritit? Ai vetë ndoshta do të donte… Josifi, vetëm 34 vjeç e pa veten në majën e botës së mashtrimit ekonomik, në një botë me rregulla të reja. Kush e ndihmoi të krijonte infrastrukturën dhe ti fshihej autoriteteve?
Këto të fundit, nuk guxojnë t’ja përmendin emrin. ‘Dosja’ ka kërkuar informacion zyrtarisht pranë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme që ka vetëdeklaruar se është duke hetuar çështjen e mashtrimit me kriptovalutat, por deri më tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Asnjë zyrtar i shtetit shqiptar nuk ka zë të pohojë se kush e punësoi Amant Josifin në Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë kohës kur ky i fundit ishte zhvilluar një aktivitet jo të fshehtë por të publikuar në media, dhe akuzat për mashtrim nga viktimat shtoheshin…
Por për ta plotësuar këtë histori harrojmë një nga elementët që për OCCRP dhe “El Pais” është kryesori. Ata e përshkruajnë Amant Josifin si një njeri me lidhjet e duhura në Tiranë. Garancia e paprekshmërisë për Milton Group ishte influenca e Amant Josifit, i cili nuk del rastësisht në këtë skemë. Deri në vitin 2017, Amant Josifi rezulton aksioner në kompanisë “Pegasus Communication” bashkë me vëllain e vogël të kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën. Me një vendim për shitje kuotash, Josifi shiti pjesën e tij të aksioneve për 30 mijë lekë të reja, tek Jeton Haxhija. Jeton Haxhija ngeli aksioneri kryesor i kësaj kompanie me 65% ndërsa Olsi Rama, mbajti vetëm 35% të aksioneve. Sot, Haxhija është larguar nga Pegasus dhe vendin e tij e ka zënë Klajdi Oshafi.
Opozita në Tiranë e lidh këtë shitje me një tentativë për të mbuluar lidhjet e Josifit me vëllain e kryeministrit. Sipas PD dhe Sali Berishës, Amant Josifi është përdorur në këtë skemë mashtrimi me vlerë 2.2 miliardë euro nga Olsi Rama, prandaj edhe nuk është arrestuar. Edhe pse copat po plotësojnë historinë dita-ditës, ajo që është fakt është mosbesimi i autoriteteve spanjolle që mbërritën vetë në Shqipëri për të bërë arrestimin e 4 personave në operacionin e muajit nëntor 2022. A është Amant Josifi “ujku” i vërtetë që mori 2.2 miliardë euro? /Dosja.al