Connect with us

REAGIM

‘U thye paprekshmëria e Berishës’

Gazetari investigativ, Artan Hoxha komentoi  incidentin e djeshëm në protestën e opozitës, ku u sulmua me grusht kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Hoxha tha se incidenti me grushtin në protestë mori vëmendjen nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua dje në Tiranë. Gazetari tha se në protestën e djeshme i vetmi truproje që ishte i armatosur ishte truproja e Ilir Metës.

Truprojat e Berishës nuk kishin armë me vete.
Për këtë Hoxha tha se Berisha nuk ruhet nga Garda e Republikës për shkak të çështjes së vulës në gjykatë dhe se nuk është njohur akoma zyrtarisht si lider i PD-së.

“U thye paprekshmëria e Berishës”, tha Hoxha.

“Një ngjarje jo e zakontë, e rëndë, për shkak sepse është goditur lideri i opozitës. Berisha është një figurë që ka njerëz që e dashurojnë marrësish por dhe që e urrejnë në mënyrë ekstreme, ka dominuar politikën e këtij vendi për shumë kohë. Ka qendruar stoik nga situatat e 1991 deri sot. Ngjarja u zhvillua në një ditë ku vëmendja duhet të ishte te samiti, atje duhet të ishte vëmendja.
Berisha kishte një aureol pathyeshmërie. Si qytetar do të doja që politikanët e vendit tim të mos kishin nevojë të ruheshin. Berisha personazh që ose urrehet në mënyrë ekstreme ose dashurohet në mënyrë ekstreme. Ai është personazh me shumë karizëm. Ai perceptohej si një njeri i paprkshëm. U thye paprekshmëria e Berishës. Ai lider i opozitës, duhej të ruhej nga garda por nuk ruhet, për çështje të vulës nga Gjykata. Alibeaj ruhet nga garda e republikës, Berisha jo. Në video duket se i vetmi njeri i armatosur është truproja i Metës. Asnjë nga truprojat e Berishës nuk ishte i armatosur. Imagjinoni sikur Gert Shehu të kishte një armë”, tha Artan Hoxha.

Artan Hoxha tha se militantët kanë tentuar të godasin me thikë 31 vjeçarin Gert Shehu që goditi me grusht Sali Berishën. Sipas tij, kjo ka ndodhur teksa ai po shoqërohej për në selinë e PD-së pasi u dhunua nga truprojat e liderit demokrat.

“Së pari, personi protagonist është dhënë të trajtohet në spital dhe pse i prangosur. Besoj se deri tani është dhënë motivacioni se është dëmtuar fizikisht pas sulmit. Sepse nga sulmi i menjëhershëm që iu bë, ishte në rrezik të madh se mund t’i merrnin jetën. E kanë hequr që aty dhe imagjino të kishte humbur jetën.

E kanë tërhequr dhe gjatë kohës që e kanë sjellë te selia e PD-së. Policia nuk vinte dot aty sepse rrugët ishin të bllokuara, dhe gjatë kohës që është lëvizur te selia, ka pasur tentativa për ta goditur. Në një rast është tentuar të goditet dhe me thikë nga militantët. Për fat të mirë s’e kanë goditur me thikë, është futur në seli, është njoftuar policia.“, tha ai.

Hoxha: Te PD-ja su afrua dot, gjeti pikën e dobët. Ai ishte i vendosur në atë që do bënte. Shyqyr që nuk kishte armë, se asnjë nga truprojat e Berishës nuk kishte armë. Ai telefon nuk kishte, kartë nuk kishte. Prandaj u mësua më vonë se kush ishte. A është i infiltruar, a është agjent i policisë? Duhen prova. Ai është person i skeduar nga policia sepse është me precedentë të mëparshëm. Problemi është nëse policia e ka përdorur apo jo. Ngjarja duhet hetuar me qetësi. Mund të jetë një aktor tjetër i futur në lojë. Mund të mos jetë as qeveria as Berisha. nëse dje do ishin 10 mijë persona në shesh çfarë do ndodhte? Nuk e komandon më turmën, por dje ishte një pjesëmarrje simbolike. Kjo ngjarje eklipsoi një ngjarje shumë të madhe që po ndodhte në Shqipëri, tërhoqi vëmendjen. Berisha duhet të ishte i mbrojtur nga Garda.

Advertisement