Kosova
Tensione në veri të Kosovës, plagoset efektivi
Pak pas shtimit të forcave në veri të Kosovës, një grup personash të maskuar dhe të armatosur kanë sulmuar patrullën e efektivëve. Për pasojë, ka mbetur i plagosur një polic, i cili mori dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën. Po ashtu, u dëmtua edhe një mjeti i efektivëve, i cili mori dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarja ndodhi gjatë natës në Mitrovicë, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve, e cila së fundmi ka rënë pre e disa shpërthimeve me bomba të një pas njëshme.
Pas sulmit, ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës e cila bëri përgjegjës regjimin serb.
Në Twitter, shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës shkruan se është kërcënim i hapur i regjimit serb.
Ky sulm ndaj policit vjen fill pas shpërthimeve për gati dy ditë resht në veri të Kosovës. Ditën e parë pati 6 shpërthime, 2 në Zubin Potok dhe 4 në Mitrovicë. Ditën e dytë pati një shpërthim me granatë dore në Mitrovicë. Shpërthimet vijnë si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme të cilat do mbahen në veri, konkretisht më 18 dhjetor. Edhe pse SHBA pati rezerva, dje KQZ e Kosovës certifikoi listën përfundimtare të votuesve.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sulmet në veri të vendit erdhën nga banda kriminale të cilat paguhen e dirigjohen nga Presidenti Serb, Vuçiç. Kurti paralajmëroi se në veri të vendit janë shtuar forca të shumta policore.
Më herët, i pyetur në samitin e BE në Tiranë nga gazetarët, Vuçiç bëri përgjegjës kreun e qeverisë së Kosovës.
Të forta qenë edhe reagimet e presidentes, Vjosa Osmani e cila u shpreh se ky sulm erdhi nga Serbia me qëllim destabilizimin në Ballkan.
Më tej, Osmani komentoi edhe prezencën e Serbisë në samit si dhe dialogun e Prishtinës me Beogradin. Për presidenten e Kosovës, Vuçiç ka një sjellë “dramatike” me ndërkombëtarët kjo u duk edhe në vonesën për konfirmimin e tij në pjesëmarrjen në samit, e më tepër në qëndrimet pro-ruse dhe anti-evropiane. Osmani shtoi se qëndrimi i Serbisë ndaj Federatës Ruse është tregues i qartë i klimës së Beogradit në politikën e jashtme e cila i ka antenat nga Moska.