Bota
Rusisë po i pakësohen dukshëm rezervat
Ushtria ukrainase ka raportuar për luftime të ashpra pasi forcat ruse sulmuan disa qytete në zonën Donbas, në lindje të Ukrainës, në orët e hershme të së shtunës.
Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare për Kievin po përqendrohet në mbrojtje ajrore dhe zyrtarë të shteteve perëndimore kanë paralajmëruar se Moska ka nevojë gjithnjë e më të madhe për armatim pasi po i pakësohen rezervat.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten, në adresimin e tij të përnatshëm, se trupat ushtarake të Moskës e kanë sjellë “ferrin nën flamurin rus” në vendin e tij.
Ai e cilësoi “shumë të vështirë” situatën në disa zona të Ukrainës lindore ku luftimet ishin më të ashpra, veçanërisht në Bakhmut, Soledar dhe Kremina.
Zelenskiy e quajti Bakhmutin – një qytet që numëronte rreth 70 mijë banorë para fillimit të luftës – “një tjetër qytet të Donbasit që ushtria ruse e ka shndërruar në rrënojë të djegur”.
Ai tha se ka kohë që nuk ka “hapësirë rezidenciale që nuk është dëmtuar nga sulmet me raketa”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se Rusia po bëhet gjithnjë e më e varur në Teheranin zyrtar për ta vazhduar luftën në Ukrainë, përderisa vazhdon frika nga rreziku i përshkallëzimit në një konflikt më të gjerë tani që ka nisur muaji i dhjetë i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, Barbara Woodward, tha të premten se përveç qindra dronëve iranianë që i janë dërguar Rusisë që nga gushti për “vrasjen e civilëve dhe sulmet ilegale me cak infrastrukturën civile” në Ukrainë, “Rusia tani po tenton të sigurojë armë të tjera, përfshirë këtu qindra raketa balistike”.
Woodward tha gjithashtu se Londra është “pothuajse e sigurt se Rusia po tenton të sigurojë armatim nga Koreja e Veriut [dhe] vendet e tjera të sanksionuara, përderisa rezervat e veta dukshëm po pakësohen”.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha në takimin e Këshillit të Sigurisë se Moska i ka mohuar disa herë sugjerimet e shteteve perëndimore se po furnizohet nga Irani.
“Kompleksi industrial ushtarak në Rusi mund të funksionojë në mënyrë të përsosur dhe nuk ka nevojë për ndihmën e askujt, ndërsa industria ushtarake e Ukrainës në thelb as nuk ekziston dhe po ndihmohet nga industria perëndimore dhe kompanitë perëndimore”, tha ai.
Këto diskutime u zhvilluan gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë që ishte thirrur nga Rusia lidhur me armët “që po bien në duart e banditëve dhe terroristëve” në Evropë dhe përtej.
Ndërkohë, pas luftimeve në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, këshilltari i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, e përshkroi gjendjen përreth qytetit të Bakhmutit si “ferr në tokë”.
Rajoni i Donbasit në lindje të Ukrainës ka qenë fokusi i luftimeve ruse që kur forcat ukrainase shënuan fitore të mëdha në zonat më perëndimore, para fillimit të dimrit me temperatura të ulëta.
Në orët e hershme të së shtunës, stafi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase i listoi tre zona në rajonin e Luhanskut dhe disa të tjera në rajonin e Donetskut ku tha se forcat ukrainase i kishin zmbrapsur sulmet e forcave ruse gjatë luftimeve të ashpra.
Mbi 20 zona banimi vetëm në Bakhmut u goditen gjatë këtyre luftimeve, sipas ushtrisë së Ukrainës.
Zyrtarët rajonalë ukrainas thanë se ushtria ruse i kishte sulmuar “masivisht” vendbanimet në Nikopol dhe Marganets në rajonin Dnipropetrovsk gjatë natës mes 9 dhe 10 dhjetorit, duke i lënë të paktën katër persona të vdekur.
Kryesuesi i administratës rajonale, Valentyn Reznychenko, i shpërndau disa fotografi të zonave të banimit që ishin bombarduar dhe tha se 11 ndërtesa ishin goditur, ndërsa ishin dëmtuar disa objekte civile, si kopshte për fëmijë.
Radio Evropa e Lirë nuk mund të vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet për fitoret, humbjet apo numrin e të vdekurve nga asnjëra palë në zonat e luftimeve të rënda.
Ushtria ukrainase tha se i kishte rrëzuar dhjetë dronë iranianë të premten në zonat Herson, Nikolayiv dhe Odesa.
Shtëpia e Bardhë e lajmëroi një tjetër pako ndihme, 275 milionë dollarëshe, për Ukrainën për t’i ndihmuar në përforcimin e mbrojtjes ajrore, veçanërisht kundër dronëve rusë.
“Ne ndihemi të përkrahur nga shtetet si dhe organizatat ndërkombëtare dhe institucionet e të drejtave të njeriut”, tha Zelensky.