Sport
Festimet – Çmenduria argjentinase/ Të vdekur, të plagosur dhe në koma
Rikthimi i Kupës së Botës pas 36 vitesh në Argjentinë e ka shndërruar gjithë qytetin e Buenos Airesit në një arenë festimesh nga më të ndryshmet. Nuk ka një numër të saktë, por raportohet që rreth 5 milionë tifozë të kenë dalë në rrugët e kryeqytetit për të pritur skuadrën në paradën e tyre me autobusin e zbuluar.
Por ka qenë e pamundur. Udhëtimi i skuadrës është ndërprerë në gjysmë, pasi tifozët ishin aq shumë, sa kishin bllokuar edhe autostradat kryesore dhe autobusi e kishte të pamundur të lëvizte. Nga ana tjetër tifozë “të çmendur” nisën të tentojnë tu bashkohen lojtarëve në autobus. Pas gjithë kaosit, Federata e Argjentinës vendosi të ndalë në gjysmë udhëtimin.
Lëvizja me makina ka qenë e pamundur dhe lojtarëve u ka ardhur në ndihmë helikopteri për t’u shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre. Ndërkohë, janë publikuar pamje të Leo Messit, që tentonte të hynte me makinë në shtëpinë e tij në Rosario dhe e kishte thuajse të pamundur për shkak të numrit të paimagjinueshëm të tifozëve.
Të dalin 5 milionë argjentinas në rrugë nuk mund të kalojë pa incidente. Raportohet se një i ri 25 vjeçar është mbytur aksidentalisht nga flamuri që e kishte lidhur në qafë. Ai drejtonte një motor dhe një cep i flamurit është ngatërruar te goma, duke shkaktuar mbytjen e të riut. Një tjetër person ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i pallatit.
Ndërkohë, një 5 vjeçar është në gjendje të rëndë në spital. Edhe pas largimit të autobusit të skuadrës kampione të Botës, trazirat kanë vazhduar. Huliganët kanë sulmuar policinë dhe anasjelltas, teksa bilanci total i të lënduarve gjatë festimeve raportohet në 18 persona. Latinët festojnë si të çmendur dhe kjo ka pasoja.