Bota
Muret kanë veshë, por edhe sy
Këndi nga është marrë fotoja është shumë i ulët, pothuajse nga dyshemeja. Fotoja është kapur nga një prej miliona fshesave robotike që qarkullojnë nëpër shtëpitë në mbarë botën.
Fotoja është marrë nga një Roomba J7, një nga modelet më të fundit dhe më të avancuara të iRobot. Pajisja ka në pjesën e përparme një videokamera të vërtetë, që asistohet nga një LED shumë i fuqishëm. Kjo i lejon robotit të njohë hapësirat që duhen pastruar, të identifikojë mobiliet dhe pengesat dhe për këtë arsye të pastrojë aty ku është e nevojshme me efikasitet ekstrem. Imazhi i gruas është kapur nga ky sy elektronik. Në setin e fotove të përfunduara online shihet edhe një fëmijë rreth 8-9 vjeç, i shtrirë me bark në një korridor. Fotot e tjera shfaqin dhoma me mobilje, orendi, bimë dhe madje edhe një qen. Elementet e inkuadruar nga videokamera janë në një drejtkëndësh me ngjyrë me një etiketë teksti që i identifikon ato: «tv», «bimë ose lule», «gardërobë» e kështu me radhë. Një detaj që zbulon origjinën e imazheve: fotot janë shkrepur nga iRobot, prodhuesi i Roomba, në Scale AI, një startup që paguan njerëzit në të gjithë botën për të etiketuar audio, foto dhe video. Këto të dhëna përdoren për të trajnuar inteligjencën artificiale.
Shpjegimi i kompanisë
iRobot tha se fshesat me korrent në fjalë ishin njësi testimi, të pakomercializuara ende, të përdorura për të ndihmuar kompaninë të zhvillojë aftësitë e robotëve për të mësuar. Fotot erdhën nga “robotët e zhvillimit special me modifikime harduerike dhe softuerike dhe nuk janë paraqitur në produktet përfundimtare të iRobot”, tha presidenti dhe CEO i iRobot, Colin Angle. Robotët, sipas kompanisë, iu dhanë punonjësve dhe kontraktorëve të kompanive të tilla si Scale AI, të cilët kryejnë mbledhjen e të dhënave dhe u etiketuan me një ngjitës të qartë të gjelbër që thoshte “incizim video në vazhdim”. Punonjësve u takonte, përsëri sipas iRobot, të “heqin çdo element sensitiv, si fëmijët, nga hapësira në të cilën funksionon fshesa me korrent”.
Përdorimi dhe qarkullimi i fotove
Rasti vjen pasi Amazon po punon për të mbyllur një marrëveshje prej 1.7 miliardë dollarësh për të blerë iRobot dhe ngre përsëri shumë pyetje se si kompanitë e teknologjisë përdorin dhe mbrojnë të dhënat që mbledhin. Në këtë rast, stafi i Scale AI punoi në një projekt për iRobot për të “etiketuar” fotot në mënyrë që pastruesit e robotëve të mund të njohin më mirë objektet rreth tyre, sipas MIT Tech Review. Duhet të theksohet se të ashtuquajturit “etiketuesit e të dhënave” janë punëtorë me kontratë me paga të ulëta, që shpesh banojnë jashtë Shteteve të Bashkuara.