Aktualitet
Prek i ati i Visar Cengut: Kishim Serbinë armik të përbashkët
31-vjeçari nga Kukësi, Visar Cengu, i cili u vra një ditë më parë në Kosovë pas një sherri në lokal, është përcjellë për në banesën e fundit. Një i afërm i tyre shkruan se sot i kanë dhënë 31-vjeçarit lamtumirën e fundit, ndërsa ka ndarë edhe një pjesë të fjalës nga babai i viktimës, Behar Cengu.
“Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë”, citohet të ketë thënë Behar Cengu.
I afërmi shkruan se 31-vjeçari kishte ardhur në Shqipëri nga Franca për të festuar Vitin e Ri.
“Sot në varrezat e qytetit në Kukës i dhamë lamtumirën e fundit të riut Visart (Behar) Cengu, 31 vjeçar, i cili u vra në makinë duke u larguar nga një lokal në dalje të Prizrenit. Mijëra qytetarë kuksianë dhe miq të familjes Cengu nga Kosova kishin ardhë për ta përcjellë në banesën e fundit këtë të ri i cili kishte ardhur nga Franca për ta kaluar ndërrimin e moteve në vendlindje.
Kjo vrasje është përjetuar rëndë jo vetëm nga familjarët por edhe nga të gjithë kuksianët dhe miqtë e shumtë të familjes Cengu nga Kosova e mërgata.
‘Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë’ u shpreh i ati i Visartit i cili bashkë me vëllezërit e tij i kishte kontribuar luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës!
I lehtë i qoftë dheu Visartit e familjarëve Zoti iu dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje. Qoftë kjo vrasja e fundit në mes të shqiptarëve”, shkruan i afërmi.