Në një konferencë për media bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, kryeministri tha se beson në fuqinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta shtuar presionin mbi Beogradin.

“Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka thënë shumë qartë se Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale, e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ne pajtohemi plotësisht me këtë. Kosova është shtet normal që ka shënuar hapa të mëdhenj në dy vitet e fundit. Kemi stabilitet institucional. Fakti që jemi shtet normal nuk do të thotë që kemi marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior.

Ato marrëdhënie duhet të normalizohen e normalizimi i marrëdhënieve ka nevojë për presion shtesë të partnerëve ndërkombëtarë mbi Beogradin. Besoj në fuqinë e BE-së dhe të SHBA-së që të bëjnë presion shtesë mbi Serbinë. Ka nevojë për trysni shtesë mbi Beogradin. Problemi është në Beograd megjithatë besoj se partnerët tanë kanë mjaftueshëm fuqi që të bëjnë trysni në Beograd në mënyrë që të kemi marrëdhënie normale dhe marrëveshje të tillë që sjell njohjen reciproke”.