Aktualitet
Nafta ulet dhe Bordi “fle” gjumë
Në një kohë kur Bordi i Transparencës është ende në fuqi dhe nuk reagon aspak mbi uljen e çmimit të naftës në bursat botërore, e gjithë pasoja bie në financat e qytetarëve shqiptarë. Prej 22 ditësh Bordi i Transparencës nuk e ka lëvizur çmimin e naftës, duke e lënë në 199 lekë për litër. Shqiptarët e blejnë naftën më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit. Sipas përllogaritjes që bordi i transparencës bën për vendosjen e çmimit, nafta në këto momente duhet të ishte 2-4 lekë më e lirë. Nafta pësoi një rritje të lehtë në fundvit, por në ditët e para të 2023-shit pësoi ulje drastike. Maqedonia e uli në 9 janar naftën, ndërkohë që Bordi i qeverisë vijon të jetë në “gjumë”. Ministrja Balluku u shpreh se ky Bord mund të shkrihet, por në kushtet kur nuk merr asnjë vendim mbi çmimin dhe qeveria nuk e shpall shpërndarjen e tij, qindra miliona lekë dalin nga xhepat e shqiptarëve dhe shkojnë te qeveria dhe bizneset.